Partia Socialiste mbledh sot Asamblenë Kombëtare me fokus riorganizimi i brendshëm dhe energjizimi i partisë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Mbledhja do të zhvillohet online dhe nis në orën 17:00 me fjalën e kryesocialistit Edi Rama, i cili pritet t’u lërë porositë e tij anëtarëve të asamblesë kur ndajnë më pak se 1 vit nga zgjedhjet e 2025-ës.

Kjo është hera e katërt që Rama mbledh Asamblenë brenda vitit, ndërsa në tre mbledhjet e kaluara, të zhvilluara në muajin shkurt dhe mars, ka kërkuar më shumë angazhim në terren nga anëtarët e asamblesë dhe rritje të aktivitetit të tyre në rrjetet sociale. Pas tij, fjalën pritet ta marrë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi, i cili do të raportojë për ecurinë e procesit të zgjedhjeve të përgjithshme brenda partisë.

Gjatë punimeve të asamblesë do të miratohet edhe projektvendimi për thirrjen e Kongresit të Partisë Socialiste i cili është edhe organi më i lartë vendimmarrës i kësaj force politike, i cili burime për Report tv bëjnë me dije se do të jetë në datën 20 korrik.

Në punimet e Kongresit të ardhshëm do të zgjidhet asambleja e re e Partisë Socialiste, për të përfunduar kështu procesin zgjedhor brenda kësaj force politike. Asambleja miraton gjithashtu kandidatët për anëtarë të Asamblesë Kombëtare të re që do të zgjidhet nga Kongresi si edhe për anëtarë të Komisionit të Garancive Statutore e Etikës së PS-së.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu