Bledar Tahiraj ose Alias Hoxha nga fshati Deçan i Kosovës, është arrestuar në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit, pasi rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Unmiku.
Hoxha kishte dhjetëra vite që banonte në lagjen nr.14 në Durrës. Ai strehohej në këtë qytet për shkak të një vrasje të kryer në Kosovë, gjatë kohës kur ishte i mitur.
Kosovari, vrasjen e ka kryer në Deçan dhe prej nga ajo ditë është larguar nga Kosova në drejtim të Shqipërisë, duke falsifikuar gjeneralitetet.
Ai ka qëndruar në Shqipëri për disa vite, duke bërë që dënimi për vrasjen e kryer në Kosovë, të parashkruhet. Bledar Tahiraj edhe pse i dënuar në mungesë për vrasjen e një personi në Kosovë, çuditërisht ka mundur të marrë shtetësinë shqiptare, duke u pajisur me pasaportë biometrike.
Pavarësisht kësaj situate autoritet e drejtësisë kosovare, kanë lëshuar një mandat arresti për Tahiraj, ku këtë herë e akuzojnë për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave”.
Kjo pasi Tahiraj, ka përdorur një kartë identiteti false të Kosovës dhe një pasaportë të falsifikuar çeke. Gjykata e Pejës me vendimin e datës 9 Gusht 2022, ka caktuar në mungesë masën e sigurisë “arrest në burg” për Bledar Tahiraj.
Tahiraj është arrestuar në 29 shtator 2022 nga policia e Shkodrës, në përpjekje për ta kaluar kufirin në pikën e kalimit kufitar në Muriqan. Emri i tij është shënuar me ngjyrë të kuqe në sistemin TIMS e për pasojë është bërë arrestimi i tij.
Ndalimi i Tahiraj u krye për qëllim ekstradimi në drejtim të Kosovës. Çështja penale ndaj tij është transferuar në gjykatën e Durrësit, aty ku Tahiraj ka vendbanimin prej disa vitesh.
Gjykata, aktualisht ka caktuar masën e “Arrestit në burg” me afat 40 ditor ndaj Tahirajt, duke qëndruar në pritje të mbërritjes së letërporosisë nga Kosova për ekstradimin e tij.