Si rezultat i bashkëpunimit me partnerët spanjollë, finalizohet operacioni i koduar “Capital”, për kapjen e një shtetasi shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
I akuzuar për tentativë vjedhjeje me armë, në një argjendari në Shkodër, kapet në Spanjë dhe arrestohet për t’u ekstraduar në Shqipëri, 35-vjeçari.
Si rezultat i shkëmbimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, të informacioneve të siguruara nga strukturat e DVP Shkodër, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është finalizuar operacioni i përbashkët i koduar “Capital”, për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi.
Si rezultat i operacionit, është kapur në Spanjë dhe është arrestuar me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, shtetasi E. H., 35 vjeç.
Shtetasi E. H. akuzohet se në vitin 2012, në lagjen “Fahri Ramadani”, Shkodër, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë tentuar të vjedhin në një argjendari, duke përdorur armë zjarri. Gjatë tentativës për vjedhje, ka mbetur i plagosur vëllai i pronarit të argjendarisë.
Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar pas rifillimit të hetimeve nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës. Bazuar në këto hetime, në muajin shkurt 2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar shtetasit E. H., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me armë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Vijojnë procedurat për ekstradimin e shtetasit E. H., në Shqipëri.