Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, ku po kryhet trajnimi i mësuesve të ciklit fillor nga pedagogët e Universitetit të Shkodrës, deklaroi se mbi 2700 mësues janë trajnuar deri tani, falë Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve.

“Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve, një program të cilin ne e kemi nisur në muajin mars, ka bërë të mundur që deri më tani të trajnohen jo vetëm për arsimin fillor, por edhe për gjuhën shqipe, matematikën, fizikën, kiminë më shumë se 2700 mësues dhe pritet që ne të trajnojmë rreth 4000 mësues këtë sezon”, tha Ministrja Manastirliu.

Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve është shtrirë në të gjithë vendin për mësuesit e arsimit fillor, gjuhës shqipe, matematikës, fizikës, biologjisë dhe kimisë. Programi, i cili zhvillohet në bashkëpunim me shtatë universitete ka një përqindje të lartë pjesëmarrjeje prej 82%, në rang vendi dhe për qytetin e Shkodrës pjesëmarrja arrin në 84% me 647 mësues të trajnuar.

Me synimin për të përmirësuar rezultatet e të nxënit dhe për të ofruar një arsim cilësor dhe të përshtatur me kohën, MAS ka në plan të trajnojë mbi 16,000 mësues deri në vitin 2025.

“Synimi i këtij Programi është jo vetëm njohja e mësuesve me metodat më efektive, praktike dhe inovative të mësimdhënies, por gjithashtu edhe parapërgatitja sa i përket testimeve të PISA-s, që janë në fokus të punës tonë të përbashkët”, tha Ministrja Manastirliu.

Këto trajnime përfshijnë metoda efektive mësimdhënie dhe aftësi digjitale, ndaj Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e zhvillimit të vazhdueshëm profesional të mësuesve si një nevojë thelbësore për të përballuar sfidat e zhvillimeve socio-ekonomike dhe teknologjike të vendit.

Ministrja Manastirliu ritheksoi nga Shkodra se këtë vit edhe paga e mësuesve do të rritet deri në 950 euro, si pjesë e nxitjes financiare për të vlerësuar përkushtimin dhe angazhimin e tyre në edukimin e brezave të rinj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu