Në Kuvendin e Shqipërisë më në fund po vjen një marrëveshje mbi Tregun e Përbashkët Rajonal që është pjesë e Procesit të Berlinit ndërsa qeveria për shumë vite ka humbur kohë duke firmosur marrëveshje për Ballkanin e Hapur, pjesë e një përpjekje për të aneksuar padrejtësisht Kosovën së paku ekonomikisht.
Kjo është arsyeja përse qeveria shqiptare e firmos e fundit këtë marrëveshje pasi vëmendja e saj ishte një tjetër projekt që nuk ka qenë në interesin e qytetarëve dhe as kombit tonë. Ballkani i Hapur nuk i ka ofruar shqiptarëve asnjë përparësi dhe asnjë mundësi me të cilën mund të ndërtojmë një vend më të mirë. Por s ishte gje tjeter vec qe një shprehje fodullëku e një qeverie që luftën nuk e kishte për të arritur anëtarësimin,por qëllim kishte rivalitetin me Kosovën.
Kjo dritëshkurtësi tregon se kjo është një mazhorancë që vizionin e ka të turbulluar dhe të paqartë për atë që pret vendin tonë dhe hapat që duhet të ndjekim për t’u barazuar me vendet e tjera të rajonit.
Tregu Përbashkët Rajonal është rruga normale që duhet të ndjekë Shqipëria për të vijuar më tej procesin e anëtarësimit në BE. Qëllimi është për të përmirësuar funksionimin e tregut të brendshëm, dhe veçanërisht për të mbrojtur dhe fuqizuar qytetarët, konsumatorët dhe bizneset, në veçanti ndërmarrjet e vogla dhe të mesme,duke zbatuar ligjin e Unionit. Në vetvete qëllimi i integrimit Europian është për të shkruar ligje që i shërbejnë qytetarëve.
Mirëpo qeveria duhet të krijojë kushtet që përtej shkrimit të ligjeve të punojë për të ndërlidhur qytetarët. Tregu Përbashkët Rajonal është një formë dhe një mënyrë për të ndërlidhur vendet mes tyre duke i parapërgatitur për tregun e përbashkët të BE. A jemi ne të përgatitur nga ana infrastrukturore për të ndërtuar një treg të tillë?
Për të udhëtuar nga Tirana në Shkodër duhen mbi 4 orë rrugë, një trafik jonormal dhe udhëtohet vetëm përmes rrugës automobilistike. Nuk ka transport hekurudhor, nuk ka asnjë formë tjetër transporti. Prandaj si mund të përfitojë një qytetar i Shkodrës nga TPR dhe nga plani i rritjes? Nuk ka asnjë shans të përfitojë. Pak javë më parë evidentova se si bizneset në qytetin e Shkodrës dhe qarkun e Shkodrës kanë qenë në rënie, biznese janë mbyllur ndërsa ekonomia e qytetit ka rënë.
Një qeveri që nuk ka punuar në asnjë moment në favor të biznesit të vogël nuk ka si mund të përdorë 4.21 mld euro që janë për rajonin për bizneset e vogla. Jemi të fundit në rajon për përdorimin e fondeve të Bashkimit Europian. Korridori blu që duhet të ishte ndërtuar me fondet e Procesit të Berlinit,por po ndërtohet nga taksat e shqiptarëve.
Shihni kontratat e PPP që kanë një vlerë sa 50% e PBB-së, shihni shifrat që i kushtohen arsimit që nuk arrin as sa 5% e PBB-së. Taksat e qytetarëve më shumë shkojne për të paguar koncesionet korruptive që kanë ndërtuar një sistem korrupsioni dhe sado që të kemi marrëveshje të tilla sërishmi ne nuk mund të përfitojmë kur investimet e rrugëve tregojnë se si ato edhe aty ku ndërtohen kanë koston e korrupsionit dhe bien përditë.
Patjetër që kjo marrëveshje është për t’u përshëndetur,pasi na afron më shumë me BE-në por fatkeqësia është që kjo qeveri që kalon më shumë kohë në SPAK se sa në punë nuk është e përgatitur për të fituar këto fonde dhe që shkojnë ne dobi te ekonomisë shqiptare. Pak muaj më parë jemi lajmëruar për hetimin që SPAK ka nisur për fondet e AZHBR, miliona euro të Bashkimit Europian që kanë shkuar në fonde korrupsioni dhe që sot dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Me një CV të pasur në këtë pikë, nuk e kuptoj se si mund të tërheqë përthith kjo qeveri miliarda euro fonde nga Bashkimi Europian? Me një CV të tillë nuk e di se si mundet një biznes i vogël, që është më i pambrojturi nga kjo qeveri, të aplikojë për këto fonde?
Çdo shifër e buxhetit apo çdo e dhënë ekonomike është dëshmi se si qeveria është më shumë e angazhuar për të goditur qytetarin dhe konkurencën.
Bizneset shqiptare futen në një garë në tregun e përbashkët jo vetëm të pabarabartë por edhe të diskriminuar nga qeveria e cila nuk punon për qytetarin por për bizneset e drejtorëve të ministrive apo kryebashkiakeve që më pas kthehen në bankomatin elektoral të mazhorancës.
Kriza e Shqipërisë është një krizë ekonomike, kriza e qeverisë është kriza e ndershmërisë. Nuk mundet që një qeveri e korruptuar të kërkojë qeverisjen e shqiptarëve. Nuk mundet që një qeveri e korruptuar të rregullojë gjendjen ekonomike të shqiptarëve.