Tekniku i Vllaznisë, Qatip Osmani komentoi humbjen 2-0 ndaj Kukësit.
“Sigurisht ndikuan mungesat e Krymit dhe Smajlit, janë lojtarë formacioni. Bëmë gabime që nuk duhet të bënim. Në pjesën e parë patëm një iniciativë, por nuk ishim të rrezikshëm. Pësuam 2 gola nga gabime individuale. U munduam të ndryshojmë sistemin, por nuk arritëm dhe rezultati është humbja. Humbja dhemb, detyra jonë është të mos elektrizojmë më atmosferën. Pas një serie fitoresh erdhi kjo humbje. Jemi munduar të jemi sa më të qetë dhe nuk është se pati ndonjë reagim negativ.
Ideja ishte me Çobën që të jetë më brenda për të krijuar një lojtar më tepër në qendër. Edhe me Grudën që të sulmojë portën bashkë me Balajn. Në 20 metra kuadrat ishim 5-6 lojtarë, ndërsa në krahë nuk kishte lojtarë. Iniciativa ishte e lehtë, pa ide dhe konkretizim në finalizimin e aksionit.
Futbolli është kështu, ndodhin këto në çdo vend. Punë inspirimi. Është dhimbje, kot të themi ndryshe. Por, duhet të mësojmë nga kjo disfatë.
Pauza e Kombëtareve? Mendoj se na vjen mirë, kemi luajtur me një formacion. Pak rotacione dhe na vjen shumë mirë për pak pushim”, tha Osmani.