Tik takut të komisionit të reformës zgjedhore po i vjen fundi dhe 7 ditë nga mbarimi i afatit prodhimi i një produkti konkret duket tashmë një mision i pamundur.

Përgjatë dy ditëve mbledhjet online u zhvendosën në një tryezë diskutimesh teknike më ndërmjetësimin e ekspertëve të OHDIR ku juristët e mazhorancës dhe opozitës paraqiten draftet e tyre. Me komision apo pa komision të posaçëm, socialistët kanë gati draftin për ndryshimin e ligjit zgjedhor.

Reformimi i kodit zgjedhor imponohet edhe nga Gjykata Kushtetuese, ku një nga vendimet flet për votën e diasporës, element të cilin të gjitha partitë e kërkojnë, por në forma të ndryshme. Socialistët hodhën një hap përpara në realizimin e votimit nga jashtë duke paraqitur në tryezën e ekspertëve të OHDIR propozimin e tyre që parashikon votimin e diasporës me postë, ndërsa për ta nuk do të ketë mandate të dedikuara.

Sipas këtij propozimi, vota e emigrantëve do të përllogaritet në qarkun ku kanë pasur banimin e fundit në Shqipëri. Thënë ndryshe, do të votojnë për listën e kandidatëve për deputet të Qarkut ku kanë pasur banesën e fundit në Shqipëri. Kësisoj, pasja apo jo e përfaqësuesve të diasporës në listat e kandidatëve për deputet mbetet në vullnetin e kryetarëve të partive, pasi janë këta të fundit që bëjnë hartimin e tyre. Krahas mënyrës së votimit dhe përllogaritjes së votës, socialistët propozojnë që numërimi i votave të diasporës të bëhet në Komision Qendror të Zgjedhjeve dhe të mos shpërndahet nëpër qarqe duke e centralizuar si proces, ndërsa regjistrimin e emigrantëve ia lënë në dorë KQZ, jo më vonë se 90 ditë nga dita e zgjedhjeve.

Në lidhje me depolitizimin e komisioneve zgjedhore të majtët janë të mendimit që do duhet te jenë nga radhët e administratës publike të cilët gëzojnë statusin e nëpunësit civil.

Në kuadër të transparencës së fondeve te partive politike ekspertët socialistë, Viktor Gumi dhe Eridian Salianji kërkuan që në Kodin Zgjedhor të vendoset afat konkret për transferimin e fondeve nga buxheti i shtetit partive politike, si dhe shtim të financimi publik për kandidatet e pavarur. Çdo veprimtari publike gjate fushatës 30 ditore zgjedhore, duhet të jetë e ndaluar pavarësisht nëse ka qenë planifikuar ose jo me fonde te buxhetit të shtetit.

Më 21 mars skadon afati i komisionit të reformës dhe socialistët nuk kanë plan ti zgjasin më jetën, por në dakordësi më Rithemelimin punën ta zhvendosin në një strukture të re që do të ngrihet për ligjin elektoral dhe reformat që kërkojnë shumicë të cilësuar./TCH

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu