Një 7 Mars i mbushur me emocione dhe krejt ndryshe prej të tjerëve, ka qënë ky i këtij viti për mësuesen e gjimnazit “28 Nëntori” në Shkodër, Mimoza Fishta. Janë muajt e fundit të punës me kolegët dhe nxënësit, pasi me mbylljen e vitit shkollor, ajo mbush moshën e pensionit, duke i dhënë fund viteve të gjata në arsim, prej të cilave 20 i ka në gjimnazin elitar “28 Nëntori”, “Nderi i Kombit”.
E pranon se nuk janë vite të lehta për arsimin, por përkushtimi dhe dashuria për profesionin, janë ato që ja kanë bërë më të lehtë punën e përditshme në edukimin dhe formimin e brezave.
Arsimi është një marrëdhenie e dyfishtë, që merr dhe jep, prandaj edhe mësuese Moza ka këtë këshill për të gjithë arsimtarët e rinj, që nisin këtë mision fisnik.
Si shumë arsimtarë, edhe Mimoza Fishta e nisi rrugën e saj të mësimdhënies fillimisht në zonat rurale, e më pas në shkollën veterinare dhe atë pyjore, për të ardhur më pas afro 2 dekada më parë në gjimnazin “28 Nëntori”. Prej asaj dite e deri më sot kur po prek moshën e pensionit, ajo ka dhënë kontribut në këtë gjimnaz, me nxënësit e të cilit ka fituar ndër vite olimpiada dhe çmime kombëtare e më gjërë.






