Prej dy vitesh Ervisa Haldeda mban të veshur uniformën e ushtrisë.
25-vjeçarja nga Dibra jo vetëm që nuk e mendon largimin nga Shqipëria po ka zgjedhur t`i shërbejë Atdheut duke ushtruar një profesion të rrallë e jo pak të vështirë për gjininë e saj.
“T’i shërbej atdheut, kjo është gjëja më e mirë që të bëj.”
Thotë se largimi nga vendi dhe braktisja e tokës së të parëve nuk është zgjidhje.
“Sa më shumë të qëndrosh këtu aq më shumë do ta duash.”
Kur vendosi të bëhej pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë Ervisa tregon se u përball me paragjykimin e shoqërisë dhe ngurrimin e të afërmve.
“Fillimi i ka qenë shumë i vështirë dhe më thonin mendohu mirë. Më zuri frika.”
Megjithatë nuk u lëkund në realizimin e ëndrrës që e shoqëronte prej fëmijërisë.
“Ka qenë dëshira ime qysh e vogël sepse kam qenë e apasionuar.”
Të jesh ushtare thotë se kërkon shumë sakrifica e më e madhja për të është largimi nga familja.
“Kam marrë pjesë në Defender 21 dhe u largova nga familja 1 muaj.”
Vetëm 3 vajza janë në kompaninë e saj. Përshtatja me një mjedis ku dominojnë djemtë dhe arritja e rezultateve të tyre në stërvitje përbën sfidë për Ervisën.
“Vështirësia që kam më shumë është përshtatja me djemtë. Marrim pjesë në stërvitje, por bëj stërvitje me 30 djem dhe ka kritere të vështira.”
Vështirësitë e çdo dite nuk ka ja kanë zbehur dëshirën në ushtrimin e misionit të saj. Thotë se nga ushtria nuk do të heqë kurrë dorë.
“Dëshira ime është këmbësoria, nuk mendoj ta ndryshoj dhe nuk do të bëj diçka tjetër.”
Ervisa Haldeda është një nga 1 mijë efektivët e ushtrisë, pjesë e Grup Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë, që në shtator u certifikua nga NATO si i gatshëm për të marrë pjesë në operacionet ushtarake të Aleancës.
Oranews