Një kod unik i njëjtë me numrin e shasisë në automjete po mendohet të jetë i detyrueshëm edhe për monopatinat elektrike të cilat qarkullojnë në rrugë, ndërsa parashikohet të vendosur edhe një moshë minimale për përdoruesit. Projekt drafti po hartohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, në bashkëpunim me Policinë Rrugor.
“Në diskutimet që kemi hasur kërkohet një regjistrim e kësaj kategorie, për të ditur se sa mjete të kësaj kategorie qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë. Diskutohet që mosha minimale të jetë 16 vjeç, por është ende herët sepse janë ekspertët ata që po e studiojnë projekt/draftin dhe do të dalin me konkluzionet përfundimtare”- u shpreh Gerhard Baka, specialist i qarkullimit rrugor. Veç kaskës mbrojtëse, në projektin për ndryshime në Kodin Rrugor po shqyrtohet mundësia që të tjera pajisje shtesë për sigurinë e përdoruesve të jenë të detyrueshme.
“Është shumë mirë që përdoruesit e biçikletave dhe këtyre kategorive të jenë të pajisur me pajisje shtesë, siç janë gjunjëzat dhe krahoret, kaska është e detyrueshme të përdoret, shpresojmë të vendosin dhe jelekun fosforeshent”- shtoi Baka.
Në shumë raste, motorët elektrike të cilët kanë një fuqi motorike më të lartë se monopatinat dhe biçikletat, qarkullojnë në korsinë e dedikuar për këto të fundit, duke u bërë shkak për aksidente.
“Ata duhet të kalojnë në krahun e rrugës dhe nuk duhet të qarkullojnë në korsinë e biçikletave sepse ajo është e dedikuar vetëm për çiklistët dhe patinat elektrike”- nënvizoi specialisti i qarkullimit rrugor.
Prej muajit gusht 2023 kur ka nisur aplikimi i masave administrative për monopatinat elektrike deri më 5 janar 2024, janë vendosur 296 gjoba, duke përfshirë të gjitha shkeljet si; “mos qarkullimi në korsinë e duhur”, “kalimi me semafor të kuq” apo dhe “mosmbajtja e mjeteve mbrojtëse”. Viti 2023 u mbyll me 48 aksidente që përfshijnë monopatinat elektrike, me 31 të plagosur lehtë dhe 1 viktimë. Të tilla shifra dhe monitorimet e fundit nga Policia Rrugore kanë bërë që autoritetet përgjegjëse të ndërmarrin hapa konkretë siç është dhe ndërhyrja në Kodin Rrugor./shqiptarja.com