Ka zgjatur 5 orë mbledhja me dyer të mbyllura e Asamblesë Kombëtare të PS. Një ‘mbledhje pune’, siç e cilësoi kryeministri Edi Rama në përfundim të saj ku ka pasur dhe ‘ballafaqime me fakte dhe opinione të mbledhura në një proces shumë kapilar, shqetësime por dhe qasje vetëkritike  duke nisur nga ai vetë i pari si kryetar i partisë”. “Ne dëgjuam shiun që rrodhi me furi jashtë por jo brenda!” iu përgjigj gazetarëve me batutë të cilët gjatë ditës raportuan për mediat ato që ishin thënë pas dyerve të mbyllura. E nisur në orën 11:00 Asambleja vijoi punimet deri në orën 16:00, ku dhe u hartua e miratua plani i veprimit  “në funksion të objektivit që në zgjedhjet e ardhshme të marrim fitoren shembullore” tha Rama. Plani i veprimit i PS-se
-15 Shkurt – 15 Mars nisin zgjedhjet brenda PS
-16 Mars  Asambleja kombëtare rimblidhet në Durrës, analizon ecurinë e procesit
– Deri 15 Prill procesi për zgjedhje brenda PS
-Nga 15 Prill – Zgjidhen delegatët e Kongresit me ‘një anëtar një votë’ 
Qershor 2024 – Mblidhet Kongresi PS 

Punimet brenda Asamblesë
Në fokus të punimeve ishin jo vetëm zgjedhjet parlamentare 2025, por edhe riorganizimi i strukturave brenda partisë.Pati analizë sa i takon punës së bërë nga strukturat e PS-së në terren dhe përgatitjet e zgjedhjeve parlamentare të 2025. Janë drejtuesit e qarqeve apo në disa raste dhe 2 ose tre deputetë që po bëjnë raportimet. Punimet në Asamble kanë nisur me qarkun e Tiranës, ku Rama ka pasur rezerva për strukturën e PS-së në Kavajë për të vijuar më pas me Shkodrën, Lezhën e Fierin.

Mes të tjerash, ai është pyetur lidhur me deklaratat e ish-zv. kryeministrit Arben Ahmetaj, kur tha se është kërcënuar prej tij në mbledhjen e Kryesisë.

Rama u shpreh se PS e ka shumë të qartë pozicionin e vet dhe se është detyra e tyre  që drejtësisë t’i japin të gjitha mundësitë që të bëjë punën e vet, e pashqetësuar as nga komentet e atyre që përfaqësojnë PS.

“PS nuk komenton çështje që lidhen me drejtësinë. Çdokush që ka çështje me drejtësinë i ka me drejtësinë. Ka një karakteristika të të gjithë atyre që kanë çështje me drejtësinë që ndjehem viktima të forcave të errëta apo forcave të tjera, por nuk është fare për mua dhe për ne ta shpjegojmë këtë fenomen”, tha ai.

A e keni kërcënuar Ahmetajn në mbledhjen e Kryesisë?

Edi Rama: PS e ka shumë të qartë pozicionin e vet, mund të pyesin sa herë të doni, është liria juaj, por është detyra jonë që drejtësisë t’i japim të gjitha mundësitë të bëjë punën e vet, e pashqetësuar as nga komentet e atyre që përfaqësojnë PS.

Kreu i qeverisë u shpreh se ka pasur kritika dhe vetëkritika nga anëtarët, pasi sipas tij pakënaqësia është një element i rëndësishëm që e bën PS të ecë përpara.

“Kam pakënaqësi për çdo gjë që bëj vetë, për çdo gjë që bën partia, sepse pakënaqësia më ka çuar dhe më çon përpara. Ndryshe nuk do kishim çfarë t’i jepnim këtij vendi”, tha ai.

“Ne kemi bërë një mbledhje të gjatë me diskutime të shumta, ka qenë një mbledhje pune, dhe në mbledhje të tilla ka ballafaqime me fakte dhe opinione të mbledhura në një proces shumë kapilar që ne kemi nisur.

Ka shqetësime që vijnë nga organizata të ndryshme të partisë, nga zgjedhës që kanë votuar ose jo PS. Nëse mund të flasim për kritika, ka pasur një qasje vetëkritike nga të gjithë së bashku, duke nisur nga unë.

Mos i besoni shumë mënyrës sesi rrjedhin gjërat, sepse duhen verifikuar në burimet… Jemi të kënaqur nga kjo mbledhje. Në zgjedhjet e ardhme duam të marrin rezultatin shembullor”, u shpreh Rama para gazetarëve, pas mbylljes së punimeve të Asamblesë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu