Nga prof Xhahid Bushati

“MBRETËRESHA E DËBORËS”, NJË FILLIM I MBARË
I TEATRIT PËR FËMIJË NË SHKODËR

Sezoni i ri teatror për fëmijë në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, nisi me pjesën “Mbretëresha e dëborës” të H. K. Andersen, përshtatur nga Shegushe Bebeti, me regji të aktores së talentuar Merita Smaja, dhe skenografi nga Divni Gushta.
Interpretuan: – Gerta: Drande Xhaj; – Kei: Fritz Selmani; – Mbretëresha & Gruaja: Merita Smaja; – Plaku: Astrit Fani; – Gjyshi: Gjovalin Kolaj.

Mendime rreth përshtatjes së përrallës

“Mbretëresha e dëborës” është një nga përrallat e shkrimtarit të shquar danez H. K. Andersen. Kjo përrallë në origjinalin dhe përkthimin shqip nga Klodian Briçi është e rrëfyer nga Andersen në shtatë rrëfenja. Po i paraqesim radhazi: – Rrëfenja e parë: (Pasqyra dhe pjesët e saj të thyera); – Rrëfenja e dytë: (Një ftujë dhe një ftujak); – Rrëfenja e tretë: (Kopshti me lule i magjistricës); – Rrëfenja e katërt: (Princi dhe princesha); – Rrëfenja e pestë: (Vajza e vogël grabitëse); – Rrëfenja e gjashtë: (Gruaja e Laplanit dhe ajo filandeze); – Rrëfenja e shtatë: (Mbi kështjellën e Mbretëreshës së Dëborës dhe çfarë ndodhi më pas). Autorja, në pjesën e përshtatur është ndalur kryesisht në të fundit, dhe nga mënyra se si është paraqitur, mendoj se disa karakteristka që shpalos Anderseni në përrallat e tij i gjejmë edhe në këtë realizim, si: mençuria dhe filozofia, triumfi i së mirës ndaj së keqes, dashuria për jetën në përgjithësi dhe për njeriun në veçanti, etj. Të gjitha këto mesazhe janë kuptuar më së miri nga Shegushe Bebeti, ndonëse mund të ishin shtuar dhe ca të tjera të “përkthyera” skenikisht, mund ta bënim edhe me kurioze dhe interesante zhvillimin e linjës kryesore, t’i jepnin asaj më gjerësi kohore.

Mendime rreth regjisë së shfaqjes

Regjisorja Merita Smaja e ka konceptuar drejt materialin e dhënë. U ka besuar personazheve dritën e lojës e të ëndrrave, dëshirave, të mirësisë, sakrificës e miqësisë. Kjo e ndihmuar dhe nga skenografia e Divni Gushës, e cila është e ndërtuar plot fantazi e ngjyra përrallore, ku peizazhet shoqëruese janë në funksion dhe bashkudhëtarë të personazheve. E ndërtuar në mënyrë lineare dhe me ngjyra të përrallës klasike, spektatori ndjek me interes dhe ankth se çfarë do të ndodhë me dy personazhet: Kion dhe Gertën. Shqetësimi dhe udhëtimi i Gertës për të shpëtuar Kio-n mbetet e bukur, kuptimplotë dhe plot vlera. E, këtu, regjisorja ka meritë të veçantë dhe ka kuptuar edhe thelbin e kësaj përralle të Andersenit. Fantazia dhe magjia janë elemente që i “fsheh” përralla në krijimin e vet e që regjisorja me talentin e saj i ka shpërfaqur skenikisht, duke i bërë ato të besueshëm gjatë interpretimit të personazheve duke i dhënë virtyte njerëzore, përveç Mbretëreshës, e cila humbet rëndësisnë e saj në këto marrëdhënie e raporte vlerash.

Mendime rreth interpretimit

Në grupin e aktorëve, ndonëse i vogël, gjejmë jo vetëm lojë interesante, botë komunikative me njëri-tjetrin edhe me spektatorin, por edhe riafrimim të vlerave të virtyteve që i shpalosin gjatë interpretimit me mjeshtri.
Aktorja Dranxhe Xhaj interepretoi rolin e Gertës. Ishte aktorja kryesore që mbarti dhe rolin më të madh të kësaj pjese. Ajo kishte zgjedhur të na prezantohej si një fëmijë sa lodërtar aq dhe ëndërrimtar, sa miqësor aq dhe i sakrificës. Të gjitha këto tipare “shëtisin” ngrohtësisht gjatë interpretimit të shkëlqyer. Është një dritë që e shohim në sytë e aktores, gjatë intepretimit dhe lëvizjeve nazike, si dhe gjatë paraqitjes së botës së brendshme. Ajo shqetësohet për “humbjen” e Ke-it. Nis dhe e kërkon. E gjen dhe fiton miqësinë që ia kishte dhuruar më parë.
Aktori Fritz Selmani na dha një Kei me një profil aktoresk, që gjithkush e do fort. Ai me natyrën herë të brishtë e herë paqedashëse, i bën ballë të gjitha kalimeve të gjendjeve që i paraqiten e që janë herë të favorshme e herë të paforshme. Veçanërisht me Gertën ruan një linjë e marrëdhënie të admirueshme, – pasqyrë e një miqësie të vërtetë. Dhe kjo është dhe modeli i kësaj shfaqjeje.
Aktorja Merita Smaja na dha një Mbretëreshë me magjinë e saj keqdashëse. Nga mënyra se si e solli në skenë, ajo bëri që kompozicioni i pjesës skenike të kishte densitet, të ndërthurej e të koklavitej më shumë, gjë që bëri që udhëtimi i Gertës të ishte plot peripeci, dhe nga spektatorët të ndiqej me vëmendje. Në tërësinë e raporteve të ngjyrave të skenës, magjia e Mbretëreshës kishin simbolikën e saj domethënëse e zhvilluese të intrigës.
Aktori Astrit Fani në interpretimin e gjyshit, na dha një person të mençur, të dashur, plot botë fëmije, e udhërrëfyes. Krahas këshillave të tij, shoqërimi i të qeshurës ia ngrohtë edhe më shumë shpirtin Gertës, si dhe ia forconte besimin se do ta gjente patjetër Kio-n.
Aktori Gjovalin Kolja, na dha një gjysh me një zë të bukur, moshor dhe interesant. Gjatë bashkëbisedimit me dy fëmijët, u fali mirësi dhe urtësi plaku.

Kjo shfaqje me vlerat e arritura që i përmenda në këtë shkrim, është një nismë e mbarë e udhëtimit teatror për fëmijë. Është risi që teatri për fëmijë “pushton” skenën e madhe dhe paraqitet me një kastë aktorësh me dinjitet e për t’u lavdëruar shumë.

Në fund edhe një kuriozitet: – Përrallat e Andersenit për herë të parë të përkthyera në shqip erdhën për herë të parë në Shkodër, plot 88-vjet më parë. Ndërsa regjisorja Merita Smaja, duke vazhduar këtë traditë të bukur kulturore solli një përrallë të Andersenit me mjeshtri në skenën teatrore për fëmijët shkodranë në vitin 2024. E, kjo është një mrekulli prej përralle dhe po aq reale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu