Përpjeka e tretë për ta mbledhur fizikisht “zgjedhoren”, pati të njëjtin fat, dështimin. As këtë herë qeveria dhe opozita nuk u ulën në të njëjtën tryezë për të ngritur siparin e diskutimeve me shoqërinë civile.

Deputetët demokratë të dy grupimeve Sali Berishës dhe Gazmend Bardhit ishin ndarë në dy grupe. Të papërjashtuarit u futën në sallë, ku u zunë vendet socialistëve ndërsa të përjashtuarit qëndruan jashtë saj,duke pamundësuar hyrjen e bashkëkryetarit socialist Damian Gjiknuri dhe të tjerëve.

Bllokadën e demokratëve ndaj socialistëve e udhëhoqi Flamur Noka.

Ndërsa Gazmend Bardhi u përball me ata pak socialistë që arritën të futeshin në sallën ku duhej të zhvillohej komisioni për reformën zgjedhore.

Socialistët u larguan. Pasi deputetët demokratë u siguruan se nuk do të ketë mbledhje fizike të “zgjedhores” ikën edhe ata.

Shumica socialiste, grupimi Gazmend Bardhi-Sali Berisha dhe të Lulzim Bashës ri-fajësuan njëri tjetrin për mosdashje me qëllim të funksionimit të “zgjedhores.

 “Një pjesë e opozitës, ajo që quhet rithemelimi, po pengojnë ecurinë e reformës zgjedhore. Të dy opozitat që duhet të jenë të parat të interesuar për reformën zgjedhore nuk po bëhen aktive për ta çuar përpara këtë proces”, tha bashkëkryetari i PS për “zgjedhoren” Damian Gjiknuri.

“E drejta e vetos, është e drejta që mazhornaca mos të ndërrmarë ndonjë nismë për ta bërë në mënyrë të njëanshme refprmën zgjedhore, që mazhoranca të mos e përdorë atë, legjendën, çështjen e primit, zero shanc”,tha bashkëkryetari i PD për “zgjedhoren Enkelejd Alibeaj.

“Reforma zgjedhore pa konsensus nuk i duhet askujt. Pa konsensus i duhet vetëm Edi Ramës, askujt tjetër, asnjë force opozitare, asnjë shqiptari me parti apo pa parti”, tha deputeti Oerd Bylykbashi.

Duket se e sotmja ishte përpjekja e fundit që “zgjedhorja” të zhvillohej fizikisht. Mundësia e vetme është që diskutimet për ndryshimet e kërkuara në kodin elektoral nga OSBE-ODIHR dhe Gjykata Kushtetuese të zhvillohen online, por kjo do t’i takojë dakordësisë së dy bashkëkryetarëve, Damian Gjiknurit dhe Enkelejd Alibeaj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu