Shtatë shtetase të huaja janë arrestuar nga policia në Tiranë pasi kishin ardhur në vendin tonë për të ushtruar aktivitetin e prostitucionit.
Gjtihashtu u proceduan penalisht dhe 4 shtetas të tjerë që i kishin dhënë me qira banesat e tyre, shtetaseve të huaja.
Me finalizimin e operacionit të koduar “Contact” u arrestuan:
B. R., 30 vjeçe, shtetase kolumbiane, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”;
L. P., 28 vjeçe, L. B., 23 vjeçe, Y. S., 28 vjeçe, D. B., 31 vjeçe, M. G., 21 vjeçe dhe L. B., 22 vjeçe, nga Spanja, Kolumbia, Venezuela dhe Rusia, për veprën penale “Prostitucioni”.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasja B. R. shfrytëzonte për prostitucion shtetaset e tjera të arrestuara, të cilat kishin ardhur nga vende të ndryshme, në Shqipëri, ishin akomoduar në banesa me qira, në zona të ndryshme të Tiranës dhe nëpërmjet një faqeje në internet, krijonin kontakte me njerëz të ndryshëm, për të ushtruar prostitucionin, kundrejt pagesave,” njoftoi policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pasaportat e 7 shtetaseve të arrestuara.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.