Ashtu siç ishte parashikuar, do të mbahet sot dhe nesër mbledhja e qeverisë në Shëngjin. Teksa ky vit nisi me një ministri të re, që do të drejtohet nga Blendi Gonxhe, ky i fundit edhe pse i padekretuar nga presidenti, mësohet se ka mbërritur në vendin që është caktuar nga kryeministri Edi Rama për të zhvilluar mbledhjen. Ministra, drejtues politikë të qarqeve, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryetarët e komisioneve parlamentare, dhe një sërë drejtuesish të institucioneve publike do të jenë të pranishëm në këtë mbledhje. Kryeministri Edi Rama do të mbajë fjalën e tij para kabinetit qeveritar. Po ashtu fjalën do ta kenë edhe Bledi Cuçi dhe Blendi Klosi.
Ndërkohë, ditën e nesërme do të ketë diskutime mbi objektivat dhe sfidat e vitit 2024, ndërkohë që nuk dihet nëse do të ketë ndryshime të reja në qeveri. Kujtojmë se dje kryeministri Edi Rama ‘surprizoi’ me lëvizjen e tij, duke bërë një lëvizje, ndërsa vendosi që të shkrijë tre ministri në një të vetme, përkatësisht atë Financave, Ekonomisë dhe Kulturës, duke krijuar ministrinë e re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me në krye Blendi Gonxhen.






