Një ngjarje e rëndë është parandaluar në burgun ne Fierit, teksa i dënuari përjetë Dan Hutra, ka thurur një plan në bashkëpunim me 3 të burgosur të tjerë, për t’u arratisur.
Mësohet se në dhomën ku ishin të akomoduar, të paraburgosurit kishin nisur prerjen e zgarës së dritares me mjete te improvizuara. Gjatë kontrollit nga punonjësit e sigurisë, u konstatua se edhe në dhomën nr. 15, ku ishte i akomoduar i burgosuri me potencial të lartë rrezikshmërie, Dan Riza Hutra, ishin fshehur mjete për arratisje, konkretisht: një çarçaf i përshtatur si litar dhe mjete prerëse të improvizuara. Hutra kishte arritur që përmes shtypjes së tenxhereve të krijonte mjetet prerëse për të prerë zgavrën e hekurit ku më pas do kalonte duke përdorur një çarçaf të lidhur në formën e litarit. Të dhënat paraprake tregojnë për bashkëpunim ndërmjet të katër të burgosurve, për thyerje të sigurisë dhe tentativë arratisje. Të përfshirë në planin e arratisjen ishin 3 të burgosur nga Vlora për vjedhje. Geraldo Veizi, Martin Kapllani dhe Feti Kovaçi. Dyshohet se plani u organizua gjatë festave të fundvitit. Megjithatë hetimet mund të hedhin dritë mbi detaje të reja lidhur me këtë plan arratisje. Prokuroria është duke kryer hetime për ngjarjen.










