Pritjeve të gjata u erdhi fundi. Nga sot qytetarët e Kosovës udhëtojnë pa viza nëpër vendet e Bashkimit Evropian. Kosovarët nuk do të presin më para zyrave të ambasadave të huaja për një vizë, e as nuk do të shpenzojnë për termine e pagesë vizash.
E për ditën e parë pa viza, Qeveria e Republikës së Kosovës në kuadër të fushatës informuese, organizoi udhëtimin e parë pa viza për fituesit me fat nga kuizi i BE-së.
Vetë kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, shkuan në aeroportin “Adem Jashari” për t’i uruar dhe përshëndetur qytetarët e parë që udhëtuan pa viza drejt Vjenës. “Kemi pritur shumë gjatë, nga sot po hiqet një padrejtësi” tha Kurti në aeroport
Komisioni Evropian vlerësoi që nga korriku i vitit 2018, se Kosova i përmbushi të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave, por, për shkaqe politike dhe reflektime të brendshme, vendimi u shty.
Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u botua të martën e 25 prillit në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian. Me këtë veprim u përmbyll edhe formalisht i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Komisioni Evropian në vendimin për liberalizim sqaroi se bartësit e pasaportave të Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, vend që nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës, as pasaportat e saj.
Shtetet që përfshihen në vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Norvegjia, Lihtensteini dhe Islanda.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar në lidhje me ngjarjen historike të liberalizimit të vizave.Ashtu si kryeministri Albin Kurti, edhe Osmani tha se deri më tani popullit të Kosovës i ishte ndaluar padrejtësisht liria e lëvizjes.Presidentja nënvizoi se kjo fazë e historisë së shtetit të Kosovës pasqyron këmbnguljen e vendit për të qenë sa më pranë Europës.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, përmes një postimi në rrjetin social “X”, ka uruar Kosovën me rastin e liberalizmit të vizave, i cili u mundëson qytetarëve të saj hyrjen e tyre në zonën Schengen.Hasani shprehet se kjo ngjarje ishte e vonuar, por që ngelet e dobishme për Kosovën dhe të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor e BE-në.






