Ashtu siç pritej, ditën e sotme (30 dhjetor), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli vendimin për ish-kryeministrin Sali Berisha.

GJKKO ka miratur kërkesën e SPAK dhe ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për liderin e opozitës.

VENDIMI:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, kërkoi:  Pranimin e kërkesës sipas objektit; Zëvendësimin e masave të sigurimit personale shtrënguese, “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Safi Berisha, i biri i Ram dhe i Shiqere, datëlindja 15.10.1944, lindur në Tropojë, me nr personal E40701031 R, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i K.Penal, me vendimin nr. nr. 112 datë 20.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, të verifikuar me vendimin nr. 117 datë 26.10.2023, të po së njëjtës gjykatë, lënë në fuqi me vendimin nr. 56 datë 21.11.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me masën e sigurimit “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, në adresën e vetëdeklaruar në akte nga personi nën hetim Sati Berisha, duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë, duke u siguruar ruajtja e tij me punonjës policie të shtetit, si dhe ndalimin e komunikimit me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të.

Shtetasi nën hetim Sali Berisha, nëpërmjet përfaqësuesëve të tij ligjorë, av.Genc Gjokutaj dhe  av.Sokol Mëngjesi, kërkoi: Rrëzimin e kërkesës së prokurorisë.

Gjykata bazuar në nenet, 228, 229, 230, 231, 232, 233, 237, 249, 260/2, 466 të Kodit të Procedurës Penale,

VENDOSI:

1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

2.Zëvendësimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”  parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin Nr.112, datë 20.10.2023, verifikuar me vendimin nr. 117 datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lënë në fuqi me vendimin nr. 56 datë 21.11.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit personal shtrëngues “arresti në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit nën hetim Sali Berisha,  i biri i Ram-ës dhe i Shiqere-s, i datëlindjes 15.10.1944, lindur në Tropojë, me nr. personal E40701031R, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

2.1. Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti“, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të.

3-Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.

4- Mbikëqyrja e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si dhe urdhërimeve të përcaktuara në këtë vendim të kontrollohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

5-Kundër këtij mund të bëhet ankim nga palët, brenda pesë ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

U shpall në Tiranë, sot më datë 30.12.2023.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu