Ndërsa policia e Shkodrës vijon ta ketë kërkim, pa mundur të bjeri në gjurmët e Dedë Bicit, autorit të dyshuar të plagosjes së 40 vjeçarit Aleksandër Curaj, në dritë kanë dalë detaje të reja nga kjo ngjarje. Katër plumbat e qëlluar në drejtim të Curaj, e kanë prekur këtë të fundit në pjesë e gjoksit ndërsa ka fraktura edhe në krah, por ka arritur që të shpëtojë. Ai vijon të jetë nën kujdesin e bluzave të bardha që pas ndërhyrjes kirurgjikale, pasi nuk e ka kaluar plotësisht rrezikun për jetën. Autori i dyshuar pasi kreu plagosjen u largua me një biçikletë nga zona e këmbimit valutor por arriti që t’i shpëtojë ndjekies së policies, edhe pse ky i fundit e kreu të gjithë itinerarin e lëvizjes përmes qendrës së qytetit. I plagosuri dhe autori i dyshuar i ngjarjes kanë patur lidhje familjare mes tyre. Sipas grupit hetimor, 40 vjeçari Curaj i kishte një borxh shtetasit Bici që nuk ia kishte dhënë ende. Autori i dyshuar prej disa kohësh i kërkonte që t’i shlyente borxhin gjë e cila solli edhe konfliktin fizik e më pas plagosjen e 40 vjeçarit. Pak para ngjarjes ata ishin konfliktuar mes tyre fizikisht, e ku madje për të ndarë sherrin kishte ndërhyrë edhe një efektiv policie civil. Pak minuta pas konfrontimit fizik, ka ardhur edhe plagosja. Forcat policore të Shkodrës po vijojnë punën me qëllim arrestimin e autorit të dyshuar të kësaj plagosje që mund të kishte rezultuar fatale edhe për kalimtarët e shumtë në qendër të qytetit.






