Pak para nisjes së seancë plenare, kanë nisur edhe tensionet e para. Deputetët e opozitës, mes tyre Gazment Bardhi, Flamur Noka, Albana Vokshi janë përplasur me gardistët. Kjo pasi këta të fundit kanë ushtruar kontroll ndaj deputetëve.
“Mos e prek me dorë”, dëgjohet të thotë Bardhi teksa u drejtohet gardistëve.
Kontrollet vijnë pasi në seancat e kaluara deputetët e opozitës kanë futur brenda flakadanë. Rikujtojmë se seanca e fundit, zgjati vetëm 5 minuta.
SEANCA e SOTME
Në orën 10:00 të kësaj të hëne do të mblidhet Kuvendi. Kjo seancë plenare vjen pas javës së gjelbër dhe tashmë ligjvënësit do të mblidhen për të diskutuar mbi problematikat që kanë evidentuar në terren nga takimet me qytetarët.
Prej javësh në Kuvend nuk po zhvillohen seanca normale plenare për shkak të kaosit që shkakton Rithemelimi.
Këta të fundit pritet që edhe senacën plenare ta shoqërojnë sërish me tensione, pasi kanë paralajmëruar kaos dhe jo normalitet deri në ngritjen e komisioneve hetimore të kërkuara.
Por, nga ana tjetër PS kërkon të ndryshojë ligjin për komisionet hetimore.
Drafti i propozuar nga PS, ngushton objektin e komisioneve hetimore, duke thënë se parlamenti mund të hetojë vetëm çështje konkrete ndërsa ndryshime parashikon edhe në thirrjen e dëshmitarëve.
Një vit më parë edhe opozita dorëzoi përmes dy deputetëve Jorida Tabaku dhe Edmond Spaho dy propozime për Komisionet Hetimore, të cilat sipas rregullave parlamentare, do të duhet të bashkohen dhe të diskutohen së bashku.






