Shkodra do të jetë ndalesa e radhës e kryesocialistit Edi Rama, i cili nga kryeqendra e veriut nis muajin dhjetor me mbledhjen e asamblesë socialiste të qarkut. Në datën 4 dhjetor ora 15.30, ai ka thirrur të gjithë socialistët e 5 bashkive të qarkut Shkodër, në teatrin “Migjeni”. Kjo asamble i paraprin kongresit të partisë socialiste që zhvillohet 4 ditë më vonë, në datën 8 dhjetor nga ku do të mësohen jo pak zhvillime, pasi nuk përjashtohen ndryshime të reja në qeveri, apo edhe lëvizje drejtuesish politik në qarqe, bëjnë me dije burime nga selia rozë raporton newspower.al. Në Shkodër Edi Rama pritet që të ndalet tek situata ekonomike dhe buxheti i 2024-es, si dhe objektivat që ka qeveria e tij. Gjithashtu numri një i socialistëve dhe i qeverisë, do të ketë një pjesë të mirë të fjalës të përqëndruar tek investimet dhe vëmendja që qeveria shqiptare do të ketë ndaj Shkodrës, një bashki që për herë të parë po e drejtojnë pas 33 vitesh. Nga kjo asamble newspower.al meson se pritet të analizohen edhe problematiket e brendshme që ka vetë partia socialiste dhe ndryshimet që do të ndodhin në Shkodër, pasi një pjesë e drejtorive do të reformohen, pasi prej kohësh është folur për ritme dhe energji të re në këtë mandat të tretë qeverisës të partisë socialiste. Mbetet për tu parë nëse Rama do të ketë mesazhe të caktuara për qarkun Shkodër, duke patur parasysh faktin edhe të konfigurimit të ri politik që ai ka, ku nga 5 bashki, 3 prej tyre janë të drejtuara nga PS citon newspower.al, ndërsa Puka dhe Fushë Arrëzi që më herët i kishte e majta, janë humbur në zgjedhjet e fundit vendore.






