Bashkia e Lezhës organizoi sot për të tretin vit radhazi Konkursin letrar mbarëkombëtar “At Gjergj Fishta”, në nder të 152-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës.
Konkursi kishte në konkurrim 44 vepra në tri gjini: prozë (roman), vëllim poetik si dhe vepër studimore.
Juria e përbërë nga Mark Simoni, Diana Çuli e prof. Alfred Çapaliku vlerësuan me çmime disa nga veprat letrare më të spikatura, ndër të cilat:
Me çmimin “At Gjergj Fishta” për romanin më të mirë u vlerësua shkrimtari Primo Shllaku, me romanin “Pesha e padurueshme e pafajësisë”.
Me çmimin “At Gjergj Fishta” për vëllimin poetik më të mirë u vlerësua poetja Vlora Ademi me librin “Katërdhetë e pak”.
Me çmimin At Gjergj Fishta për librin studimor më të mirë u vlerësua shkrimtari Gjon Marku me veprën “Gazullorët. Traditë në Rilindjen Evropiane”.
U vlerësuan me “Çmim karriere” për kontributin e tyre në fushën e kulturës dhe letërsisë shqipe, shkrimtari e studiuesi i mirënjohur nga Kosova Sabri Hamiti, si dhe shkrimtari i njohur Agim Isaku.
U vlerësuan me “Çmim karriere” (post mortum) për kontributin e tyre në fushën e kulturës dhe letërsisë shqipe dy shkrimtarët lezhjanë Ndue Gaspri dhe Daniel Gazulli.
Si mbrojtës i kauzës shqiptare në arenën ndërkombëtare, Fishta me veprat e tij jetësoi vlerat dhe idealet e Rilindjes Kombëtare dhe luajti një rol thelbësor në Kongresin e Manastirit për unifikimin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Përmbajtja e tij poetike ruajti me fanatizëm gegnishten, përdori tonet e madhërishme heroike, nxiti mendimin e fuqishëm filozofik dhe ndërthuri mitologjinë me realitetin, duke bërë që figura e tij të krahasohej me Gëten e Danten.
I lindur në 23 tetor 1871 në Fishtë të Zadrimës, At Gjergj Fishta mësimet e para i mori në seminarin françeskan të Shkodrës.
Studimet e mëtejshme i ndoqi në Bosnje, në disiplinat e filozofisë dhe të teologjisë. Fishta qe drejtori i parë shqiptar i Shkollës Françeskane. Në drejtimin e tij, u mundësua që shqipja të përdorej në katedër si gjuhë mësimi. Si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi” mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe në cilësinë e kryetarit, drejtoi veprimtarinë e Komisionit të Alfabetit.
Në vitin 1913, themeloi revistën letrare-kulturore “Hylli i Dritës”. Gjatë Luftës së Parë Botërore, bashkëthemeloi me Luigj Gurakuqin Komisinë letrare, që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.
Në gusht 1919, Gjergj Fishta ishte Sekretar i Përgjithshëm i Delegacionit Shqiptar, që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris dhe, me këtë cilësi, iu kërkua nga kryetari i delegacionit, imzot Luigj Bumçi (1872-1945) të merrte pjesë në një komision të posaçëm që do të dërgohej në Shtetet e Bashkuara për t’u kujdesur për interesat e shtetit të ri shqiptar. Atje ai vizitoi Bostonin, Nju Jorkun dhe Uashingtonin.
Më 1921 Fishta përfaqësoi Shkodrën në parlamentin shqiptar dhe u zgjodh në gusht të atij viti si zëvendëskryetar i tij. Talenti në gojtari e ngriti mjaft në detyrat e tij si personalitet politik e, sidomos, si klerik. Në vitet më pas mori pjesë në konferencat ballkanike në Athinë (1930), Sofje (1931) dhe Bukuresht (1932) para se të tërhiqej nga jeta publike për t’ia kushtuar vitet e mbetura urdhrit françeskan dhe shkrimeve të veta.
Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim ‘Nobel’.
Si poet kombëtar, Atë Gjergj Fishta është nderuar me diploma, çmime e tituj të ndryshëm, brenda e jashtë vendit. Ka marrë Ritterkreuz-in austro-hungarez më 1911, është dekoruar nga Papa Piu XI me çmimin Al Merito më 1925, i është dhënë medalja prestigjioze Feniks nga qeveria greke, është nderuar me titullin Lector jubilatus honoris causae nga urdhri françeskan dhe është bërë anëtar i rregullt i Akademisë Italiane të Shkencave dhe Arteve më 1939. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.
Krijimtaria e Gjergj Fishtës është e shumëanëshme dhe autor i 37 botimeve letrare, por emri i tij është i lidhur në kryesisht me kryeveprën e tij epike, ‘Lahuta e Malcís’.
Lahuta është një poemë epike historike me 15.613 vargje që vë në qendër luftën për autonomi e pavarësi e, në veçanti, ngjarjet e historisë së Shqipërisë së veriut nga 1858 deri 1913. Kjo kryevepër letrare, e shkruar ndërmjet viteve 1902 e 1909, u ripunua nga autori gjatë një periudhe tridhjetëvjeçare. Është e para ndihmesë në gjuhën shqipe për letërsinë botërore. Botimi përfundimtar i veprës në tridhjetë këngë, u paraqit në Shkodër më 1937 në kremtim të njëzetepesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Vepra e tij e bëri të pavdekshme gegnishten, të cilën me aq dashuri e ka shkruar. Ndër botimet kryesore të At Gjergj Fishtës mund të përmenden edhe “Vjersha t’përshpirtshme t’kthyem shtyp” (1906), “Mrizi i zanave” (1913, 1924, 1941), etj. Fishta u shfaq po aq i suksesshëm dhe i fuqishëm si prozator. Për katër dekada shkroi dhe botoi shkrime me analiza e polemika të natyrës politike, kulturore, arsimore etj. Fishta zhvilloi sfidën e madhe të trajtimit dhe të çështjeve të estetikës, filozofisë së artit dhe sprovoi kritikën letrare.
Për kontributin e dhënë në lëmin e edukimit, të letërsisë dhe të fesë, Fishta mori dekoratën “Foenix” (1931), si edhe u bë anëtar të Akademisë italiane (1939). Vepra që përjetësoi figurën e tij si krijues është epika “Lahuta e Malcis”, së cilës i kushtoi 40 vjet punë.
Është dekoruar me Urdhërin “Nderi i Kombit”.
Atë Gjergj Fishta ndërroi jetë në vendlindje, në Shkodër, më 30 dhjetor 1940.