E cilësuar si rruga e vdekjes, aksi që lidh Shkodrën me Dukagjinin shënoi viktimën e radhës pasdrekën e së enjtes. 56 vjeçari Zef Përndreu humbi jetën tragjikisht ndërsa po punonte në segmentin Prekal Kir. Ekskavatori përfundoi 80 metra në humnerë pasi u godit nga rrëshqitja e një masivi shkembor.
Rënia ishte fatale për punëtorin e firmës që po kryen punimet në këtë aks. Rruga Prekal-Kir është në rikonstruksion e sipër dhe në disa pjesë të saj është dashur ndërhyrje për të zgjeruar rrugën përmes gërryerjeve të malit. Në një pjesë të ngushtë të rrugës në tentativë për të shembur masivin shkëmbor, gurë të mëdhenj rrëshqitën në mënyrë të menjëhershme duke spostuar eskavatorin i cili përfundoi në humnerë duke i marrë jetë drejtuesit Përndreu. U deshën disa orë që trupi i pajetë të nxirrej prej atje dhe të dërgohej në morgun e spitalit të Shkodrës. Të shokuar nga kjo ngjarje banorët e Dukagjinit shpresojnë që me perfundimin e punimeve t’i hiqet edhe emri rruga e vdekjes, pasi jetë të pafundme kanë marrë kilometrat e kësaj rruge.
Aktualisht segmenti në fjalë është i bllokuar dhe banorët e fshatrave përreth u duhet që të shkapërcejnë gurët e mëdhenj duke rrezikuar jo pak për të kaluar në anën tjetër të rrugës dhe për të vijuar udhëtimin drejt Shkodrës ose anasjelltas.
Rruga e Dukagjinit në gjithë këto vite ka marrë afro 80 jetë njerëzisht. Pas plot 3 dekadash pritje dhe protestash, në muajin shtator nisi puna për rikonstruksionin e 17 kilometrave të aksit Prekal-Kir.