Kryetari i PD-së Sali Berisha mblodhi grupin parlamentar për të nënvizuar se PD do të vijojë aksionin e opozitës në parlament, në sheshe e në rrugë. Berisha akuzon Ramën se ka shtrirë tentakulat e veta kudo ia mori dhe lojrat e fatit Ervis Martinajt.

‘Në zhvillimet e fundit në vend, gjithçka dhe çdo sekret, çdo e dhënë e fshehtë, që ka ekzistuar në arkivën e vendit tonë për banda dhe kriminelë, sot është në treg.

Kjo përbën një zhvillim në pamje të parë shumë tronditës. Por kur mendohesh, dhe arsyeton, konstaton se banditët më të mëdhenj të këtij vendi, shefat e bandave të vendit, janë në parlament, janë në qeveri, janë në institucione, atëherë është e kotë të dramatizosh një diçka që në një vend normal është me të vërtetë dramatike.

Sot, në pikat kufitare qarkullojnë lirshëm të kërkuar dhe të pakërkuar, pasi sistemet nuk funksionojnë. Por përsëri, sot, ortakët e tyre, hyjnë në parlament, hyjnë në qeveri, hyjnë në institucione. Po të krahasosh se pasuritë e krijuara nga ata, me akte malavite, krahasuar me ministrat dhe kryeministrat me firma e dokumente zyrtare, ato janë thërrime.

Nuk është e rastit që ndodhi këto. Është e vërtetë që ishte një sulm i një fuqie armike, por këto kanë ndodhur siç e dinë të gjithë shqiptarët, rëndom nga vetë qeveria dhe bandat e saj.

Ajo që po ndodh në Shqipëri, është shpërbërja e plotë e shtetit ligjor. Shpërbërja totale.

‘Nëse ndalemi në vendimin e qeverisë, të ashtuquajtur qeveri, për pallate dhe shtesat pa leje, ai është një akt i pashembullt, ku me ligj qeverie, merren në mënyrë flagrante, funksionet e parlamentit, me vendim qeverie pushohen çështje gjyqësore, me vendim qeverie, bllokohet sistemi i drejtësisë, me vendim qeverie, vendoset një standard i tmerrshëm në vend.

Ligjet e vendit, kanë parashikuar se çdo ndërtim pa leje konfiskohet, dhe se autori i këtij ndërtimi, dënohet sipas llojit të ndërtimit, pesë deri në 8 vjet burg.

Këto janë dispozitat e përcaktuara në kodin penal dhe të votuara nga kjo pseudo-mazhorancë.

Bazuar në këto dispozita, për një kotec, për një gjysmë çatie, për një avlli, qoftë për një shtesë dhome, janë dënuar me burg 3 mijë e 400 qytetarë shqiptarë.

Janë ndjekur penalisht mijëra e mijëra të tjerë.

Kurse tani, kur vjen problemi te kullat e qeverisë, te pallatet e qeveritarëve dhe klientelës së tyre, për ta ligji nuk ekziston. Edi Rama bën vendimin e amnistisë së tyre.

Ky është një provokacion i ulët për çdo shqiptar. Ky është dhunim flagrant i parlamentit, i cili është i vetmi institucion që ka të drejtën e amnistisë.

Qytetarët flasin se Edi Rama është aksioner në çdo kullë. Unë nuk mund të them, por një kryeministër që firmos një akt të tillë, që shkelmon Kushtetutën dhe Kodin Penal, një kryeministër që bllokon, që nuk ka asnjë të drejtë, në Shqipëri as presidenti nuk e ka të drejtën e faljes për ata që janë në proces gjyqësor. Pas procesit ekziston ky atribut i presidentit.

Një njeri, që kontrollon çdo pushtet, dhe që ka interes vetëm pasurimin e tij dhe të familjes së tij, i lejon vetes një akt të tillë të pashembullt.

Çfarë do u themi ne 3400 qytetarëve që hynë në burgje dhe vdiqën prej tyre? Çfarë shteti është ky? Ky është antishtet. Ky është shtet pa asnjë siguri ligjore, juridike.

Këto i realizon njeriu që ka futur në dorë të gjitha pushtetet.

Po çfarë janë bandat në krahasim me këto akte? A mund të më thoni ju mua?

Dhashë vetëm këtë shembull për të mos thënë me dhjetëra e dhjetëra të tjerë.

100 milionë euro tendera në KESH së fundmi. Se KESH e kanë si pusin ku mbushin paratë.

KESH ka investime të regjistruara 1 miliard euro. Punime të kryera nuk janë as 100 milionë.

Pra, në këtë situatë, sirenat e revoltës popullore po bien në katër anët e vendit.

Parlamenti është shndërruar në një instrument të një qeverie që nuk zbaton asnjë ligj dhe asnjë parim.

Ky i ka pronat e veta. Ky është i çmendur, është i pangopur. Oreksi vjen duke ngrënë, vjedhja shtohet me vjedhje. Nuk mund të jetë ndryshe.

Nuk ka sektor që ky nuk ka shtrirë tentakulat e veta. Ia morën lojërat e fatit Ervis Martinit dhe tani thotë ku është.

E di vetë ai ku është. Ai ishte biznesmen i lojërave të fatit. Olsi Rama është përfolur si njeriu në hije i lojërave të fatit.

Shko e pyet Baton Stanishiçin dhe Ymer Çorapen se ata e dinë. A nuk shkruajtën ata se është në gjashtë copa në prokurori.

Një njeri i zhdukur dhe një shtet bandit që thotë se është në gjashtë copa në prokurori.

Do thoni ju, nuk e tha Fuga, por e thanë Fugat e tij. A ka njerëz më të afërt? A nuk ishte Baton Stanishiçi që na thoshte para tre muajsh se Linda është për presidente. Ai nuk e thoshte nga mendja e tij.

Ai është zëdhënës i familjes në këtë formë.

Po kjo çfarë prokurorie është që thuhet se mban një trup me gjashtë copa dhe nuk bën një përgënjeshtrim? Sepse kontrollohet nga Rama.

Nëse është në gjashtë copa, familja njoftohet. Është kod shekullor.

Parlamenti de facto me këto gjëra është i asgjësuar. Por ne do vazhdojmë betejën tonë në parlament, në salla, në rrugë, në sheshe.

Do bëjmë gjithçka për të justifikuar pritshmëritë e shqiptarëve ndaj Partisë Demokratike dhe opozitës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu