Sondazhi më i fundit i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim zbadh perceptimin shumë të lartë të korrupsionit që ekziston mes qytetarëve ndaj institucioneve tona publike, në një kohë që shqiptarët vijojnë të kenë besim te NATO apo Bashkimi Evropian. Në sondazhin që kryhet për të nëntin vit radhazi nga ky institut, Organizatat si NATO (73.2%), OKB (71.4%), dhe BE (71.3%) e ruajtën renditjen e tyre si institucionet më të besuara në Shqipëri, pavarësisht një rënieje krahasuar me vitin 2020.

Perceptim krejt i kundërt rezulton sa i përket institucioneve shqiptare, qofshin ato qendrore apo lokale. Sipas sondazhit, 83.1% e shqiptarëve e perceptojnë korrupsionin e nivelit të ulët si të përhapur ose shumë të përhapur, ndërkohë që 83.7% e perceptojnë korrupsionin e madh apo të nivelit të lartë me një përhapje të tillë.

Pesë institucionet që u renditën si më të korruptuarat në 2021 ishin gjyqësori, ndjekur nga institucionet e kujdesit shëndetësor, administrata publike, institucionet vendore dhe policia.

IDM raporton se 11% e 2500 të anketuarve në sondazh kishin qenë dëshmitarë të rasteve të korrupsionit në nivel qeverisjeje qendrore dhe 18.5% në qeverisjen vendore. Po ashtu, 29.4% e qytetarëve që kishin marrë një shërbim nga qeveria vendore në 2021 (N=1672) raportuan se i kishin paguar ryshfet një zyrtari publik të këtij niveli.

Ndërkohë që me mosbesim shqiptarët kanë parë jo vetëm institucionet shqiptare, por edhe politikën. Presidenti (23.5%), partitë politike (26.4%), gjykatat (27.7%) dhe prokuroria (28.4%) ishin institucionet më pak të besuara në 2021.

Në një kohë që bie në sy rritja e besimit te reforma në drejtësi. Rreth 35% e të anketuarve besonin se reforma në drejtësi po zbatohet me korrektësi dhe 57% besonin se reforma do të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin e vendit. Të dy këto shifra patën një rritje me 6 dhe 4 pikë përqindjeje (pp) përkatësisht, krahasuar me 2020.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu