Ballina Sport PARTIZANI KAMPION I SHQIPËRISË! Nuk ka surpriza në javën e fundit, të...

PARTIZANI KAMPION I SHQIPËRISË! Nuk ka surpriza në javën e fundit, të kuqtë fitojnë titullin e 17-të

“Arena e demave” feston, Partizani lyen me të kuqe titullin e sezonit 2022-2023 pasi e mbylli javën e fundit me një fitore të lehtë 2-0 ndaj Teutës duke mos e lënë fatin e një sezoni në këmbët e të tjerëve.

Skuadra e Giovanni Colella-s rikthen titullin në shtëpinë e kuqe pas 4 viteve mungesë pasi për herë të fundit një gjë të tillë e bëri Skënder Gega në vitin 2019.

Të kuqtë e dominuan që nga minuta e parë deri në të fundit skuadrën durrsake që bëri pak rezistencë, ndoshta edhe për shkak të forcës sportive që ushtroi ekipi vendas në një stadium të tejmbushur në kapacitet maksimal. Talenti Arinaldo Rrapaj, i cili është edhe në orbitën e Kombëtares, tregoi klas dhe këmbëngulje në minutën e 39 teksa u ndal vetëm me goditjen finale të topit në rrjetë.

Menaxhim i lehtë gjatë pjesës së dytë edhe pse emocionet peshonin dukshëm më këmbët e të kuqve që gjatë gjithë 90 minutave duhej të tregoheshin të kujdesshëm për të mos pësuar dhe për të kontrolluar sfidën. Ata shënuan edhe të dytin në kohën shtesë me Carën pa e pasur mendjen te ajo që po ndodhte në Durrës mes Erzenit dhe Tiranës ku bardheblutë e mbyllën pjesën e parë 1-1 dhe më pas fituan 2-1 por ndryshoi asgjë me një fitore që finalizon një sezon shumë të dhimbshëm për ekipin e Orges Shehit që do të kujtojë gjatë atë penallti të Kridens Metës në Rrogozhinë kundër Bylisit që i zbriti nga vendi i parë pas shumë javëve si kryesues e duke ngjitur Partizanin në majën e podiumit.

67 pikë në klasifikim për kampionët por aq edhe për rivalët bardheblu por në anën e kuqe peshojnë dy fitore dhe dy barazime në ndeshjet derbi nga ku ka marrë 8 pikë, kundrejt vetëm 2 të Tiranës. 20 fitore, 7 barazime dhe 9 humbje për Partizanin që ka shënuar 55 gola e pësuar 37.

Sezoni 2022-2023 mbyllet kështu me Parizanin në krye ku skuadra e kuqe afrohet tashmë me vetëm 1 titull distancë nga Dinamo e cila ka mundësinë për të reaguar pasi sezonin tjetër do të rikthehet të luajë mes më të mirëve. Ndërkohë Tirana mbetet në kuotën 26. Për Teutën Europa venitet në javën e fundit pasi është Vlaznia që ia rrëmben ndërsa Erzeni përfiton duke prerë biletën play out ku do të ndeshet me Korabin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks