Mediat italiane vijojnë të publikojnë detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë të një dite më parë, ku Taulant Malaj vrau me thikë vajzën e tij 16-vjeçare dhe komshiun italian, si dhe plagosi bashkëshorten.
Në një video që ai kishte bërë pas krimit, 45-vjeçari shqiptar nga Selenica e Vlorës kërkonte në banesë edhe djalin e tij 5-vjeçar por nuk mundi ta gjente.
Sipas të përditshme italiane “La Repubblica”, djali ishte fshehur pas divanit në dhomën e ndenjies, pikërisht aty ku Taulant Malaj therri me thikë vajzën dhe gruan.
Pasi policia u fut brenda në apartament, 5-vjeçarin e gjetën të fshehur pas divanit. I mituri qëndronte aty duke u dridhur dhe i tmerruar.
Fëmija tani trajtohet me psikolog dhe për të kujdesen aktualisht xhaxhallarët.
Taulant dhe Tefta Malaj ishin të martuar prej 17 vitesh dhe prej 20 vitesh jetonin në Itali.
Në polici nuk ka patur asnjë denoncim për dhunë në familje. Edhe fqinjët thonë se nuk e kishin dëgjuar asnjëherë çiftin që të grindej. Gruaja nuk dilte shpesh, sipas fqinjëve, dhe ishte gjithmonë nën shoqërinë e burrit.
Ndërsa Taulanti punonte në një furrë buke. Kolegët e përshkruajnë si punëtor dhe të përkushtuar ndaj familjes.
Krimi i rëndë me 2 të vrarë dhe 1 të plagosur dyshohet të ketë ndodhur për motive xhelozie. Taulant Malaj e akuzonte gruan për tradhti me komshiun italian, e për këtë arsye e masakroi me thikë këtë të fundit. Ndërsa vajzën e vrau teksa 16-vjeçarja ndërhyri për të mbrojtur të ëmën, por mbeti vetë viktimë.






