Një shqiptar rreth moshës 30-vjeç është vrarë në Spanjë. I riu u braktis të dielën në dyert e urgjencës së spitalit të qytetit të Girona me një plagë me thikë në bark. Mediat spanjolle shkruajnë se është arritur të identifikohet viktima.
Në momentin e braktisjes ai ka qenë pa dokumente. Por autoritetet pasi kanë kontrolluar targën e makinës me të cilën ka mbërritur viktima përmes kamerave të vëzhgimit të qendrës, kanë gjetur drejtuesin e saj.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:00 të së dielës, kur një automjet ka ndaluar në derën e emergjencës së qendrës. Për 45 minuta mjekët u përpoqën ta rikthenin në jetë 30-vjeçarin shqiptar, por pa fat.
Hetuesit kanë analizuar përmbajtjen e kamerave të video survejimit të spitalit së bashku me personelin e sigurisë në përpjekje për të parë targën e mjetit që la viktimën në urgjencë dhe u largua. Ata morën një deklaratë edhe nga punonjësit e shëndetësisë që e trajtuan atë.
Pronari i mjetit që la shqiptarin në derën e spitalit ishte një tjetër shtetas me origjinë shqiptare me banim midis rajonit Maresme dhe La Selva.
Mëngjesin e kësaj të hëne, atij iu mor një deklaratë në stacionin e policisë Vista Alegre në Girona. Falë kësaj deklarate, agjentët kanë zbuluar se edhe viktima, ashtu si drejtuesi i mjeti janë me origjinë shqiptare dhe rreth 30 vjeç.