Nga Klodian Tomorri/
Rrethimi i parë i Shkodrës moderne ndodhi në fillim të shekullit të kaluar. Në 8 tetor të vitit 1912 një gjyle topi e lëshuar në drejtim të qytetit ishte akti përmes të cilit Mali i Zi i shpalli luftë Perandorisë Osmane.
Për 7 muaj me radhë, Shkodra qëndroi nën rrethim me kushte të tmerrshme, por qyteti nuk ra ndonëse raporti mes forcave sulmuese dhe atyre që mbronin qytetin ishte disa herë në favor të të parëve.
Pasi e pa që nuk mund ta merrte dot Shkodrën me forcë për shkak të qëndresës heroike të shkodranëve, Knjaz Nikolla dërgoi princ Danilon të negocionte dorëzimin. Oferta e malazezëve për Hasan Riza Pashën dhe trupat që mbronin Shkodrën ishte kjo: Dorëzoni qytetin, ndryshe do të vdisni urie. Ky ishte rrethimi i parë i Shkodrës moderne. I dyti po ndodh tani. Jo nga të huajt, por nga shqiptarët. Dhe jo me gjyle dhe topa, por me para dhe kërcënime. Prej javësh qeveria ka nisur një kryqëzatë të mirëfilltë ndaj Shkodrës për ta ngjyrosur me mavi qytetin, të cilin nuk ka arritur ta marrë dot kurrë.
Një ditë më parë, Kryeministri ripublikoi disa grafikë 3D të kandidatit të tij për kryebashkiak Benet Beci. Në to paraqitej krijimi i një parku multifunksional buzë Bunës; ngritja e një porti pranë Urës së Bunës si një pol i ri turistik, si dhe ndërtimi i një muzeu historik. E gjitha me sfond të gjelbër si një parajsë. Gati gati si ishulli i Niko Peleshit në Berat.
Në fund të postimit, kreu i qeverisë shkruante: “Ky është një nga projektet transformuese për Shkodrën, fati i të cilëve është lidhur fort me vullnetin e komunitetit Shkodran në 14 maj.” Me pak fjalë, thelbi i ofertës së kryeministrit për shkodranët në këto zgjedhje është i njëjtë me atë të princit Danilo. Dorëzoni qytetin ose vdisni urie. Vetëm se në këtë rast, shkodranët po kërcënohen me paratë e taksave të qytetarëve shqiptarë, përfshirë ato të tyret.
Benet Beci mund të jetë kandidati më i mirë, më i aftë dhe me i ndershëm në planetin tokë për të qënë kryetar bashkie. Por kjo u takon shkodranëve ta vendosin, të lirë dhe pa asnjë shantazh. Nëse oferta e Partisë Socialiste ndaj shkodranëve është ajo e kërcënimeve, atëherë kjo nuk është më një forcë politike që kërkon të fitojë me ndershmëri, por një forcë pushtuese që kërkon të imponohet me dhunë. Dhe historia na mëson se pushtuesi zbohet. Sidomos në Shkodër, që mbetet qyteti simbol i qëndresës ndaj çdo pushtimi dhe regjimi.