Besimtarët ortodoksë, por edhe banorë të tjerë të Korçës kanë marrë pjesë në kryerjen e Udhës së Kryqit apo të lëvizjes së Epitafit të Krishtit.
Është ky një rit fetar, që organizohet në mbrëmjen e të premtes së zezë dhe që synon të shprehë dhimbjen e besimtarëve për kryqëzimin e Krishtit.
Udhëtimi i Epitafit në Korçë filloi me grumbullimin e besimtarëve në pesë kishat përkatëse: në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, Kishën e Shën Ilias, Kishën e Mitropolisë, Kishën e Shën Sotirit, dhe Kishën e Shën Thanasit. Mandej të gjithë besimtarët u mblodhën tek sheshi para Katedrales. Prej kësaj të fundit doli Epitafi i Krishtit, i pasuar nga Mitropoliti i Korçës, Voskopojës, Kolonjës dhe Pogradecit Hirësia e tij Imzot Johan Pelushit dhe klerikëve të Dhioqezës së Korçës.
Nën tingujt e vajtimeve dhe këngëve fetare kushtuar këtij momenti, ata kanë ecur në zonën pedonale të qytetit dhe pastaj duke vazhduar në unazën e vogël të qytetit u rikthyen tek Katedralja “Ngjallja e Krishtit”.