Prokuroria e Përgjithshme po ndesh në vështirësi serioze gjatë hetimit të rasteve të politikanëve apo funksionarëve shtetërorë të dyshuar për aktivitet kriminal apo dënime në të kaluarën.

Kryeprokurori Olsian Çela tha se ky proces bëhet tejet i vështirë kur precedentët penale kanë ndodhur jashtë vendit, pasi shtetet e huaja nuk japin informacion.

“Pjesa më e madhe e vendve nuk ekzekutojnë letër-porositë tona në kuadër të ligjit të dekriminalizimit për shkak se konsiderohet një proces administrativ dhe përgjigjet ata i japin vetëm në kuadër të një procesi penal. Me përjashtim të dy vendeve europiane, vendet e tjera nuk prëgjigjen”.

Gjatë raportimit në KLP, kryeprokurori tha se nuk ka asnjë garanci për pastërtinë absolute të kandidatëve as në këto zgjedhje, pasi pranoi se për shkak të mungesës së informacionit nga jashtë, hetimet janë të paplota.

“Hetimet, verifikimet që ne kryejmë janë të paplota.”

Pas raportimit në Këshillin e Prokurorisë, Çela tha se zgjidhja e vetme është ndërhyrja ligjore dhe mundësia e përfshirjes së shkëmbimit të informacionit në Konventat Ndërkombëtare.

“Ne veprojmë në bazë të Konventave Ndërkombëtare që janë në fushën penale dhe padiskutim që këto janë instrumentat me të cilat ne mund të ndërveprojmë. Që të ndryshojmë këto praktika të bashkëpunimit ndërkombëtar kërkon angazhim në nivel të gjerë.”

Para anëtarëve të KLP-së, Olsian Çela, ngriti shqetësimin për vakancat e krijuara në sistemin e akuzës, ku theksoi se gati gjysma e prokurorëve janë shkarkuar nga vetingu.

“Vitin e kaluar vijoi krijimi i vakancave të përkohshme dhe të përhershme deri në 42 % të prokurorëve për shkak të rivlerësimit kalimtar.”

Çela kritikoi disa prokurori për mungesë efiçence, ndërsa tha se ka drejtues në rrethe që kanë mbajtur qëndrim pasiv në raport me menaxhimin e problemeve.  

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu