Ballina Bota Rrëfimi i të riut shqiptar/ 15 muaj skllav në “shtëpinë e barit”...

Rrëfimi i të riut shqiptar/ 15 muaj skllav në “shtëpinë e barit” për shlyer 4 mijë paund që mori për të shkuar në Britani

Një 19-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Besmir Sula, u burgos për muaj me radhë brenda një fabrike kanabisi në Kent.

Sula, emigrant i paligjshëm, pagoi 4 mijë paund për shkuar në Britaninë e Madhe me gomone për të punuar në shtëpitë e barit, tregon se u mbajt nga trafikantët i mbyllur për më shumë se 15 muaj.

Ai u rekrutua nga trafikantët shqiptarë sapo mbërriti në ishull. Sula arriti të shpëtonte prej tyre vetëm kur policia ushtroi kontroll në një prej “investimeve” për kultivimin e kanabisit.

Siç ka treguar ai, menjëherë sapo mbërriti në Britani u dërgua nga autoritetet në një qendër emigrantësh për t’u zhvendosur më pas në një nga hotelet e caktuara nga qeveria për azilkërkuesit.

Ishte pikërisht aty ku ai u mor nga trafikantët shqiptarë dhe u zhvendos në shtëpitë e mbushura me kanabis në zonat rurale të Cranbrook dhe Hawkhurst në Kent.

Më pas u “dyllos” brenda pasi kishte detyrën e rëndësishme që të kujdesej për më shumë se 500 rrënjë kanabis, një drogë shumë e përdorur nga të rinjtë britanikë, por jo vetëm.

Në muajin dhjetor Sula u arrestua gjatë një operacioni policor dhe doli përpara gjykatës nën akuzat e trafikut dhe prodhimit të lëndëve narkotike, akuza të cilat ai i mohoi gjatë gjithë kohës.

Përfaqësuesi i tij ligjor, John FitzGerald tha se adoleshenti, i cili nuk kishte precedentë të mëparshëm penale, ishte viktimë e një grupi kriminal të organizuar që e kishte shfrytëzuar për një kohë të gjatë.

“Ai është nga një fshat shumë i vogël dhe i varfër në Shqipëri ku punonte gjithë natën në një furrë buke për 300 euro në muaj. Më pas djaloshi mori 4500 euro borxh nga një person i afërt për të udhëtuar ilegalisht drejt Britanisë, ku i ishte premtuar se do të gjente jetën e shumë ëndërruar”, – tha avokati.

Fitzgerald e mbylli mbrojtjen duke thënë se Sula ishte një i ri naiv që përfaqësonte në mënyrën më të mirë viktimën e skllavërisë moderne.

Nga arrestimi i tij, Sula ka qëndruar në paraburgim ndërsa avokati i tij i kërkoi gjykatës të ishte e mëshirshme.

Gjyqtari Douglas Marks Moore urdhëroi që Sula të vuante dënimin në një institucion për të rinjtë dhe më pas të dëbohej për në Shqipëri. 

Bashkë me Sulën u kap edhe një 16 vjeçar.Gjykatësi tha se ai nuk u deklarua i pafajshëm dhe do të përballet me një gjyq në gjykatë për të rinjtë në qershor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks