Shpesh herë ka dyshime të forta se krime të rënda që ndodhin në Shqipëri të kryer me profesionalizëm të lartë realizohen nga ish-komando apo ish-ushtarakë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë të cilët kanë një nivel ekspert të përgatitjes. Komandanti i repartit ushtarak të Vau Dejësit Ali Mali pranon se mund të ketë raste kur ish-komando të dalë në lirim nga Forcat e Armatosura për një sërë arsyesh bëhen pjesë e grupeve kriminale duke qenë një shqetësim për ushtrinë shqiptare.
Një prej arsyeve kryesore që ish-komandot e ushtrisë pranojnë të jenë pjesë e krimit të organizuar lidhet me shumat e mëdha të parave që grupet kriminale ofrojnë.
Komandant Mali thotë se qeveritë shqiptare duhet ta shohin me shumë vëmendje këtë pjesë në mënyrë që ish-komandot dhe ish-ushtarakët të mos lihen në harresë por të bëhen pjesë e strukturave shtetërore në mënyrë që të shmangin përfshirjen e tyre pranë grupeve kriminale.
Një ditë më parë reparti ushtarak në Vau Dejës zhvilloi ditën e hapur me nxënës të shkollave të mesme të Shkodrës dhe Lezhës me qëllim nxitjen e të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura.