Irena dhe Dritan Mashi janë një çift bashkëshortësh shqiptarë, të cilët me profesion janë mësues, por emigracioni në Itali ka bërë që të punojnë punë të ndryshme. Ai punon shofer kamioni, ndërsa ajo në një restorant.

Mirëpo, ata kanë ndërmarrë një nismë shumë të veçantë, duke dhënë mësim falas të gjuhës shqipe për të gjithë fëmijët shqiptarë në Trento të Italisë.

Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, çifti kanë folur më shumë rreth kësaj nisme, duke theksuar se duan ta ruajnë gjuhën tonë amtare te të gjithë brezat.

“Njeriu për të bërë diçka të bukur, e gjen gjithmonë kohën. Ne heqim atë kohën e kafës, atë kohën për të dal një çik me familjen dhe ne na duket sikur jemi në një familje të madhe. Ne mendojmë si për fëmijët tanë, që i mësojmë në shtëpi. Edhe po ta themi drejt është një lloj obligimi, që ata të kenë dëshirën që të flasin shqip”, u shpreh Dritani.

 “Unë kam punuar për 5 vjet mësuese në qytetin e Lezhës, ku është edhe qyteti im dhe në Milot pasi u martova. Pastaj, u martova dhe u transferuam në Itali, si të gjithë emigrantët dihet, tashmë sidomos Italia që nuk të jep shumë mundësi, u detyruam të bënim punë të ndryshme. Desh Zoti, fati, që shqiptarët u ndërgjegjësuan që fëmijëve duhet tu mësojmë shqipen se ndoshta për të folur, mund ta flisnin edhe në shtëpi, jo të gjithë. Me keqardhje e them po janë një numër shumë i vogël shqiptarësh që u flasin shqip në shtëpi fëmijëve. Dua të them që ata nxënës që vijnë në shkollën shqipe, janë ata të cilëve u flitet shqip në shtëpi. Unë dua t’i falenderoj shumë prindërit dhe fëmijët për dëshirën që kanë për të mësuar gjuhën shqipe dhe dua të falenderoj edhe ata bashkëshorte ose bashkëshortë shqiptarë që janë martuar me të huaj dhe vijnë”, tha Irena.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu