Nga foltorja e ngritur në sheshin para Kryeministrisë ku opozita prej më shumë se një ore po mban protestën e radhës, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se largimi i kësaj qeverie, është një mision për t’u përmbushur përmes këtij revolucioni që sapo ka nisur.
Berisha iu drejtua protestuesve duke u shprehur se Rama mendon se do na përjashtojë nga zgjedhjet, por tha ai ne do ta përjashtojmë atë nga Shqipëria!
“Nuk është vjedhja e parave problemi më i madh i këtij hajduti të papërmbajtur. Vjedhja e të ardhmes tonë është akti i tij më makabër. Në 8 vite, 35 përqind e shqiptarëve u larguan nga Shqipëria. Në 8 vite, secili prej nesh kemi humbur një të tretën e të dashurve tanë në dhera të tjera. Me këto ritme, Shqipëria shkon drejt shuarjes dhe zhdukjes. Dhe ky mendon se do jetojë diku në Karaibe apo në ishujt e nxehtë të Oqeanit Indian.
Ne jemi këtu për t’i thënë: Edi Rama, sot ke para, ke banka, ke çdo gjë. Por me asgjë nuk mund të mposhtësh idealet e këtyre qytetarëve. Me asgjë nuk mund të mposhtësh idealet e këtij revolucioni.
Sot, pasi asgjësoi PS-në, i hoqi të drejtat, votën dhe çdo gjë. E uzurpoi me sektin antishqiptar të Rilindjes, ai kërkon të asgjësojë PD-në. Mendon dhe beson se do na përjashtojë nga zgjedhjet. Edi Rama, ne do të përjashtojmë nga Shqipëria!
Ne jemi këtu sa është toka. Revolucioni ka misionin e madh të demokracisë, lirisë dhe shpëtimit të shqiptarëve. Ndaj, shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje çdo të riu: bashkohuni me këtë revolucion. Revolucionet i bëjnë të rinjtë, idealet e të rinjve, guximi i të rinjve, i bën ata të pathyeshëm para asgjëje. Luftoni për veten, për të ardhmen tuaj, për vendin tuaj”, u shpreh Berisha.
Ai tha se revolucioni i opozitës ka për qëllim madhor t’i japë goditje përfundimtare varfërisë.
“Revolucioni nuk është i Sali Berishës, është i çdo shqiptari që e do Shqipërinë. Një thirrje vëllazërore do u drejtoj sot të gjithë atyre që i shohin forcat politike me mosbesim, që janë të dëshpëruar, që janë të zhgënjyer dhe vazhdojnë rrugën në vetminë e tyre. Unë u them se keni shumë arsye për të qenë të dëshpëruar dhe zhgënjyer, por kurrë nuk mund të keni arsye për të qenë indiferentë.
Nuk ka gjë më vrastare për të ardhmen se indiferenca! E keqja nuk kërkon gjë tjetër për të triumfuar veç indiferencës së njerëzve të mirë si ju. Një thirrje u bëj të gjithë pubonjësve të administratës shtetërore, mos harroni se në ligj dhe moral, ju nuk jeni badigardë as shërbëtorë të një organizate kriminale që kryesohet nga Edi Rama, por jeni shërbëtorë të qytetarëve. Sot ju përjetoni një terror dixhital dhe të gjithanshëm. Bashkohuni me ne në këtë revolucion të përmbysim këtë organizatë kriminale. Të shpëtojmë Shqipërinë prej saj.
Revolucioni ynë ka për qëllim madhor t’i japë goditje përfundimtare varfërisë. Ne e konsiderojmë varfërinë nënën e të këqijave që ka sjellë Edi Rama.
Varfëria luftohet duke dyfishuar rrogat, pensionet, duke përgjysmuar taksat, duke përgjysmuar çmimin e energjisë. Varfëria luftohet duke investuar në infrastrukturë për ju, shkolla, spitale, duke krijuar pra kushtet që ju meritoni. Varfëria luftohet duke luftuar krimin e organizuar, korrupsionin me zero tolerancë. Ne do dalim fitimtarë nga kjo betejë”, u shpreh Berisha.