Nga skema mbështetëse në bujqësi mesatarisht një fermer këtë vit pritet të përfitojë rreth 478 euro. Këtë vit janë shtuar përfituesit, por fondi në dispozicion është më i vogël se në vitin 2024. Për pasojë aplikimet e shtuara përgjysmojnë shumën që do të përfitojë mesatarisht një fermer. “Sasia e parave në dispozicion të fermerëve është shumë e ulët, duke hequr naftën falas për bujqësinë pjesa tjetër është 43% më pak se shuma e dhënë në 2023. Në një nga pikat thuhet se nëse numri i aplikimeve është më i madh për një skemë atëherë bëhet një ndarje proporcionale, në këtë rast fermeri me 10 lopë do marri më pak nga çka i takon” , theksoi eksperti Gjok Vuksani.
Me 44 milionë euro miliard lekë në dispozicion, 8 milionë më pak se një vit më parë, sipas ekspertëve janë një arsye e fortë se përse është e pamundur të nxitet zhvillimi i mëtejshëm bujqësor dhe blegtoral.
“Një numër shumë më i vogël para 4-5 vitesh që ishte rreth 6 mijë aplikime për subvencinet. Kjo tregon që numri i fermerëve që merren me mbarështimin e lopëve dhe numri i lopëve është reduktuar”,theksoi Gjok Vuksani, pedagog, ekspert për bujqësinë.
“Sipas një vlerësimi të Ministrisë së bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vitin e shkuar, rezultoi se nevojat e sektorit ishin për 100 milionë euro. Dhe këtu nuk futen agro-përpunuesit. Ne dimë se nevojat janë shumë të mëdha”, u shpreh ekspertja e bujqësisë Esmeralda Ballesha.
Ekspertë të sektorit bujqësor vlerësojnë se veç fondeve në dispozicion skema duhet të synojë edhe krijimin e mekanizmave për të garantuar shitjen e prodhimeve të bujqve.
“Kjo pasi, pavarësisht mbështetjes nëse produkti nuk shitet fermeri është i destinuar të falimentojë. Më kot që harxhohen para”, tha ekspertja Ballesha.
Qarqet me numrin më të lartë të përfituesve dhe disbursimit të fondeve nga Skema Kombëtare e Bujqësisë dhe Blegtorisë këtë vit priten të jenë Vlora, Fieri, Korça, Gjirokastra dhe Berati./a2