Dita e Rinisë, pa rini 
8 Dhjetori lindi si Dita e Rinisë dhe e Lirisë.
Sot është dita e dhomave bosh, e dritave që fiken herët, e shtëpive që plaken pa zëra të rinj. Azem Hajdari përfaqësonte guximin për të qëndruar, për ta dashur këtë vend edhe kur ishte i vështirë. Sot pushteti nuk e ndalon rininë me dhunë. E largon me varfëri, padrejtësi dhe mungesë shprese.
Në vetëm 12 vite, rinia është tkurrur me 46%. Pa rini, Shqipëria nuk është e lirë!
Pas këtyre shifrave janë histori që nuk dalin në statistika. Është historia e një vajze 23-vjeçare, e diplomuar me rezultate të shkëlqyera, që sot punon si kamariere në një qytet europian dhe thotë:“Do doja të punoja këtu atë që mësova atje.”
Është historia e një djali nga veriu, që la prindërit e sëmurë dhe një tokë të pashitur,
sepse këtu puna nuk e ushqente dinjitetin, vetëm mbijetesën. Është historia e mjekut të ri që iku jo se nuk e donte pacientin shqiptar,por sepse nuk pranonte të ulte kokën për një vend pune.
Është brezi që nuk u largua për jetë luksoze, por për një shans të zakonshëm: punë të ndershme, rrogë dinjitoze, të ardhme të parashikueshme. Kjo nuk është liri. Është një rrugë njëkahëshe që një pushtet i dështuar e quan “normalitet”.
Dita e Rinisë, pa rini, është dhimbja më e madhe që një vend mund t’i bëjë vetes.
Sepse kur të rinjtë ikin, Shqipëria nuk varfërohet vetëm në numra, por plaket në shpirt.






