Katër vepra të Shën Augustinit, Bibla e famshme e Martin Lutherit, biblat e para të shtypura në alfabet arab, një botim i rrallë i vitit 1827 me vulën e Bibliotekës së Bushatllinjve janë mes botimeve të rralla të ekspozuara në Bibliotekën Kombëtare nga Koleksioni i Biblave që ruhen në këtë institucion. Për herë të parë, publiku shqiptar ka mundësinë të shohë nga afër 452 Bibla dhe tekste biblike, një pjesë e konsiderueshme botime origjinale që datojnë nga mesi i shekullit XV deri në shekullin XIX. Në mesin e tyre gjenden tetë inkunabula, botime të para të shtypit europian, (fjala “inkunabul” është e lidhur me shpikjen e shtypjes së librave në Europë dhe si term përcakton çdo libër të shtypur para datës 1 janar 1501), si edhe vepra të rralla të Shën Augustinit. Këta libra vijnë nga qendrat më të njohura të shtypshkrimit të kohës: Roma, Venecia, Parisi, Amsterdami, Gjeneva, Bazeli, Athina, Berlini, madje edhe botimet e para të Biblës në alfabet arab.

“Janë të gjitha botime origjinale, shumë prej tyre mjaft të rralla duke nisur me tetë botime të viteve 1400 që në gjuhën e biblofilisë quhen inkunabula mes të cilave veçojmë katër veprat e Shën Agostinit si dhe shumë vepra të tjera dhe 1500-s, 1600 1700 e kështu me radhë. Gjeografia e tyre, është mjaft e gjerë nga Italia më së shumti nga Roma dhe Venecia, ku janë shtypur një pjesë e madhe e biblave, por edhe në Francë, Hollandë, Belgjikë, Gjermani, Zvicër, Greqi, Bullgari e deri tek e famshmja bibël e Martin Lutherit apo biblat e para të shtypura me alfabetin arab, mes tyre një bibël e rallë e vitit 1827 e shtypur në Paris, e cila mban vulën e bibliotekës së Bushatllinjve.”, tha drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha.

Pjesa e dytë i kushtohet një kapitulli të rëndësishëm të historisë së gjuhës shqipe: përpjekjeve për përkthimin e Shkrimit të Shenjtë.

“Një histori mjaft interesante e cila fatkeqësisht nuk njihet se ç’duhet. Nis me dëshmitë e para të shqipes, pra me veprat e Buzukut, Bogdanit dhe të Budit, të cilat përmbajnë mjaft pjesë të përkthyera nga Bibla, janë origjinale aty, duke bërë pastaj një kapërcim në fillimet e shekullit falë punës së shoqërisë biblike angleze.”, vijoi Misha.

Më tej, ekspozita risjell përpjekjet e sho­qërisë biblike angleze që në fillimet e shekullit XIX. Në vitin 1819, kjo shoqëri kontaktoi Vangjel Meksin, oficer dhe mjek i Ali Pashë Tepelenës, për t’i besuar përkthimin e ungjijve. Meksi e përfundoi përkthimin më 1821, por u vra gjatë kryengritjes greke pa e parë veprën e tij të botuar. Ungjilli i Mateut, i përkthyer prej tij, u botua vetëm më 1827 në Korfuz nga Grigor Gjirokastriti, një moment që studiuesi Xhevat Lloshi e cilëson si “dritë të ndezur për gjuhën shqipe”.

Në mesin e eksponateve ndodhen edhe botimet e Konstantin Kristoforidhit, i cili përktheu Dhjatën e Re në të dy variantet e shqipes – gegnisht dhe toskërisht – në vitet 1868–1869. Rruga e përkthimit të Biblës vijoi me figura kyçe të Rilindjes: vëllezërit Qiriazi, Jani Vreto, Papa Kristo Negovani, Pandeli Sotiri, Faik Konica, si edhe Naim Frashëri, i cili ndihmoi në botimin e ungjijve dhe të psalmëve.

I pranishëm në hapjen e ekspozitës, Ministri i Shtetit Toni Gogu, dikur anëtar i Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale, theksoi rëndësinë kulturore dhe gjuhësore të kësaj ekspozite. Ai rikujtoi bashkëpunimin e rrallë mes tre komuniteteve të krishtera në Shqipëri: katolikëve, ortodoksëve dhe protestantëve, të cilët punuan së bashku për një përkthim të përbashkët të Biblës, një model unik në historinë e shoqërive biblike, ndërsa solli në vëmendje edhe periudhën e errët të ndalimit të librave fetarë gjatë diktaturës.

“Ekspozita e biblave apo ekspozita e Biblës është një ngjarje aq sa kulturore, aq gjuhësore, por aq dhe shoqërore. Në ato vitet, fund vitet ‘90 dhe gjatë viteve 2000 kam pasur gjithashtu një privilegj tjetër të shërbej si anëtar i shoqërisë biblike ndërkonfesionale të Shqipërisë.  Doja të ndaloja dy minuta për ta kujtuar që libri i parë i shqipes tonë të shkruar u bë dhe libri i ndaluar, nga ‘67 në ‘90-ën. Më kujtohet historia e një mësuesi matematike të nderuar në Berat që u burgos vetëm se i gjetën ungjillin në shtëpi.”, – tha Gogu.

Drejtuesi i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera, e cilësoi ekspozitën si një dritare unike mbi marrëdhëniet kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë, por edhe si një udhëtim që tregon se si Bibla ka qenë një shkollë për formimin e gjuhës shqipe dhe një pikë reference për identitetin kulturor.

“Nuk është hera e parë që kemi punuar së bashku në ekspozita, por mendoj se kjo është veçanërisht e rëndësishme, sepse prezantimi i koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë do të thotë të arrish vërtet në rrënjën e marrëdhënies midis dy vendeve tona, midis Italisë dhe Shqipërisë, e cila padyshim është thellësisht e lidhur me këtë dimension, këtë dimension fetar përgjatë historisë. Por një aspekt që mendoj se është i veçantë është fakti se ne mund të shohim në këtë ekspozitë një trashëgimi që është ruajtur gjatë shekujve, që mbërriti në Shqipëri, që u prodhua në Shqipëri dhe se si Bibla ishte një terren trajnimi për përkthyesit, një ushtrim themelor për lindjen dhe rritjen e gjuhës.”, – tha Ruggera.

Ruggera njoftoi se në vitin 2026 do të nisë një bashkëpunim mes Bibliotekës Kombëtare të Tiranës dhe asaj të Firences, për trajnimin e stafit shqiptar në qendrat kryesore të restaurimit dhe konservimit të librave.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu