Fushata e katërt e rivlerësimit të pronave pritet të nisë në shkurt. Aktualisht, ky proces është ende peng i akteve nënligjore që duhet të përgatiten nga Ministria e Financave, çka do të thotë se qytetarët që duan të rivlerësojnë pronat nuk mund të përfitojnë akoma nga norma tatimore prej 5%.

“Ky ligj ka hyrë në fuqi më datë 22 janar dhe udhëzimet që shoqërojnë pritet të miratojmë shumë shpejt, brenda gjysmës së parë të muajit shkurt do kemi udhëzimet përkatëse që të vijohet me procesion rivlerësimit”, tha ministri i Financave Petrit Malaj. 

Ndërkohë, së shpejti qytetarët do të detyrohen të paguajnë edhe për sigurimin e banesave nga tërmetet.

“Kemi përfunduar procesin e konsultimit dhe shumë shpejt ky ligj kalon për tu miratuar në Këshillin e Ministrave pastaj në komisionet parlamentare. Sa i përket primit, do jetë një prim lehtësisht i përballueshëm nga qytetarët shqiptarë. Pr.ligjin mban parasysh se për ato familje që mbështeten me ndihmë ekonomike, do subvencionohen nga shteti. Do jetë ligj i mirë për vetë faktin se primi dhe sigurimi i pronave do bëhet dhe do menaxhohet nga shteti. Do jetë shoqëri sh.a.. Sa i përket fatkeqësive të tjera natyrore, ne nuk e kemi të parashikuar në këtë ligj, do të duhet ta shohim në vijim sipas zonave”, shtoi Malaj. 

Gjatë një konference me gazetarët, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj dha një koment edhe për problemet e ditëve të fundit të sistemit SelfCare, që përdorin bizneset përmes portalit e-albania për faturat e fiskalizuara.

Sipas tij, bizneset kanë mundësi, që të dhënat që nuk janë në gjendje t’i raportojnë në sistemin e fiskalizimit, t’i mbledhin dhe t’i raportojnë në një kohë të dytë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu