Problemet në sistemin e shkarkimit  të gazrave vijon të mbetet shkaku kryesor pse makinat nuk kalojnë kolaudimin, në tentativën e parë të testit teknik. Të dhënat zyrtare më të fundit nga drejtoria e Shërbimit dhe Transportit Rrugorë flasin se si në 7-muaj janë testuar 167 mijë makina, ku 24.3 % e tyre ose 40 mijë mjete nuk e kanë kaluar këtë test.

“Përgjatë vitit janë 25-30 % e mjeteve të testuara, të cilat nuk e kalojnë testin kolaudimin. Kjo konsiderohet një shifër normale dhe luhatet thuajse në të njëjtët nivele vit pas viti”, tha Arben Progni, drejtor i Regjistrimit të Mjeteve.

Katër janë arsyet më kryesore që dominojnë në ngeljen e makinave në atë që njihet si kolaudim.

Në vend të parë është sistemi i shkarkimit të gazrave me 37.8%, më pas vijnë mangësitë vizuale dhe funksionale, sistemi i frenimit dhe ai i drejtimit.

Pavarësisht rinovimit të flotës së makinave që përdorin shqiptarët vitet e fundit, sërish mosha e vjetër e mjeteve si dhe cilësia e naftës mbetet arsyet kryesore pse makinat ngelin në testin teknik.

Paralelisht pranë DPSHTR-së ofrohet dhe shërbimi i çregjistrimit të përkohshëm të mjetit, për të gjithë ata që nuk e përdorin për një kohë të caktuar. Por kush janë kontigjenti që aplikon më shumë për këtë procedurë?

“Për periudhën janar-korrik 2025 kemi 4300 individë që kanë aplikuar për çregjistrim të përkohshëm. Ata që aplikojnë janë persona që kanë makina me moshë mesatare 22 vjeçare. Këto mjete kanë dhe taksat më të larta, ndaj dhe përfitimi nga çregjistrimi i përkohshëm është edhe më i lartë”, sqaroi Progni.

Ndërkohë në këto 7 muaj, 4500 mjete me moshë mesatare 22 vjeçare janë çregjistruar përgjithmonë. Kjo shifër është një tregues për mjetet që kanë dalë nga qarkullimi, të cilat janë rrezik aksidentesh dhe ndotje mjedisi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu