Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka ndërmarrë një aksion të gjerë në aksin rrugor Shkodër–Hani i Hotit dhe në segmentin Shkodër–Mabë, duke shpërndarë rreth 350 procesverbale për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme.

Procesverbalet janë dorëzuar kryesisht qytetarëve dhe bizneseve përgjatë këtyre segmenteve rrugore kombëtare, ku janë konstatuar shkelje të përsëritura të ligjit për ndërtimet pa leje, kryesisht brenda perimetrit prej 6 metrash nga aksi rrugor – hapësirë e caktuar për rrugët e kategorisë C, që duhet të mbetet e lirë për sigurinë dhe funksionimin normal të infrastrukturës rrugore.

Në listën e shkelësve përfshihen biznese, banesa private, mure rrethuese, tabela reklamuese dhe struktura të tjera ndihmëse. Edhe pse është bërë një periudhë paralajmërimi, shumë biznese nuk kanë zbatuar urdhrat e IKMT-së dhe kanë vijuar aktivitetin pa marrë masa për të liruar territorin.

Megjithatë, situata paraqitet më ndryshe me banorët lokalë, të cilët në shumë raste kanë nisur vetë prishjen e objekteve të paligjshme, për të shmangur ndërhyrjen me forcë nga institucionet shtetërore.

Aksioni i qeverisë synon goditjen e paligjshmërisë, por ka ngritur shqetësime serioze te pronarët e ligjshëm të tokave, të cilët pretendojnë se i kanë blerë këto prona me miliona lekë, shpeshherë me dokumentacion të rregullt pronësie. Sipas tyre, largimi po kryhet pa asnjë lloj kompensimi financiar, çka e bën situatën edhe më të tensionuar në terren.

Segmenti më problematik, sipas IKMT, mbetet ai mes Shkodrës dhe Koplikut, ku densiteti i lartë i popullsisë dhe zhvillimet e pakontrolluara ndër vite kanë çuar në shkelje të shumta të hapësirës publike.

IKMT ka paralajmëruar se në rast të moszbatimit vullnetar të masave, do të ndërhyjë me forcë për shembjen e çdo objekti që pengon infrastrukturën publike dhe sigurinë rrugore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu