Data e 14 janarit të vitit 1990 në Shkodër shënon demonstratën e parë antikomuniste në Shqipëri dhe që u desh një vit për të rrëzuar regjimin komunist, i fundit regjim dikatorial në Evropën Lindore.
Qytetarët e Shkodrës u ngritën në mënyrë spontane në protestë kundër regjimit komunist. Atë ditë historike, me mijëra shkodranë kishin dalë në qendër të qytetit dhe u përpoqën të hidhnin bustin e Stalinit, por policia dhe ushtria komuniste arrijnë të shpërndajnë turmën.
Zemërimi i regjimit në grahmat e fundit ra mbi dhjetëra protestues, të cilët u arrestuan dhe u dhunuan barbarisht në burgje.
Po kjo ngjarje, për vetë rëndësinë dhe kohën në të cilën u zhvillua, me të drejtë u konsiderua si demonstrata e parë antikomuniste në Shqipëri. Pati jehonë brenda e jashtë Shqipërisë, u analizua dhe komentua nga mediat ndërkombëtare sepse hapi rrugën më pas edhe zhvillimeve të tjera demokratike në mbarë Shqipërinë, e frytet e saj demokratike nuk u vonuan.
Të dhëna për demonstratën e heshtur të Shkodrës të 14 janarit 1990
-U ndaluan 26 persona
-U dërguan në gjyq 10 persona
-U rekrutuan me material shtrëngues 3 persona
-U kryen 40 veprime me teknikë operative (TO)