Më 4 nëntor 1990 ishte një ditë historike për Shqipërinë. Dom Simon Jubani do të mbante meshën e parë duke shënuar kështu rënien e komunizmit 33 vjet më parë. 

Dom Simon Jubani, mё 4 nёntor 1990 kremtoi Meshën e parë në varrezat e Shkodrës duke sfiduar terrorin e diktaturës komuniste e duke bërë të shpërthente fuqia e lirisë mbi diktaturën, fuqia e së mirës mbi të keqen, e dashurisë e vëllazërimit mbi urrejtjen e përçarjen. Mesha e kremtuar nga dom Simoni hodhi themelet e lirisë e të demokracisë në Shqipëri pas dimrit të egër e të gjatë të imponuar nga komunizmi.

Prifti shkodran dom Simon Jubani njihet si një nga njerëzit e meshtarët shqiptarë që ka vuajtur tërë jetën në burgje komuniste dhe që u ka qëndruar besnikërisht e heroikisht torturave të tmerrshme të ushtruara nga regjimi komunist ndaj të gjithë atyre njerëzve e qytetarëve që nuk mohonin vlerat shpirtërore, kulturore e kombëtare as para dënimeve, persekutimeve e vrasjeve. Kështu mund të pohojmë se kremtimi i Meshës së parë më 4 nëntor 1990 në varrezat e Rrmajit, qe shprehje e asaj fuqie shpirtëror hyjnore e njerëzore që diktatura komuniste nuk arriti kurrë ta çrrënjoste nga zemra e nga shpirti i shqiptarëve besimtarë. Dom Simon Jubani u bë kështu nismëtari i rihapjes së Kishave e Xhamive në Shqipëri kur komunizmi ende nuk ishte rrëzuar. Kleri dhe Kisha Katolike u bënë edhe një herë shkëndija që rifitoi lirinë e rivendosi demokracinë në Shqipëri.

Statusi i dom Artur Jaku, rektor i shenjtores “Nëna e Keshillit të Mirë”: 

Më 4 nëntor 1990 dom Simon Jubani, bâni një Shqipni me shpresu!

Mesha e parë ishte fryt i zgjedhjes së vështirë, i zgjedhjes flijuese, kunder rrymes, kunder privilegjeve, ishte zgjedhje besnikërie ndaj amanetit të të parëve.

Mesha e parë, është vendi i katedres së lirisë, manuali sesi ideali mbrohet me qëndres, frika mposhtet nga guximi, dhe e vërteta ngadhënjen mbi gënjeshtrën. 

Prandaj sa herë të kerkojmë të hulumtojnë mbi të kaluaren tonë, mbi figurat që ndërtuan shtetin, kishën, kulturën, Shkodrën, aty është ndalesa e padiskuteshme.

Sepse aty flejnë me Zotin  Kol Idromeno, Pjetër Marubi, Simon Rrota, Prenkë Jakova, Pjetër Gaci, dom Gjon Gazulli, Atë Anton Xanonit, Dom Ndoc Nikajt, Dom Ndre Zadejës, Dom Simoni etj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu