Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ofron mbështetje financiare, deri në 3 mijë paund për emigrantët shqiptarë që zgjedhin të kthehen në mënyrë vullnetare në vendin e tyre. Ky program është pjesë e Shërbimit për Kthime Vullnetare dhe synon të ndihmojë në menaxhimin e emigracionit të parregullt.
Sipas njoftimit zyrtar, nga kjo mbështetje përfitojnë ata me kërkesa azili të refuzuara apo viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, të konfirmuara nga Home Office si dhe familjet (që besohet se janë 700) të cilave nuk u lejohet qëndrimi për gjatë në Britaninë e Madhe.
Me këto para, qeveria britanike thotë se ata do të mund të sigurojnë një vend për të jetuar deri në 10 netë në Shqipëri, para për shpenzime të menjëhershme, të kërkojnë një punë apo të nisin një biznes të vogël.
Pagesa jepet zakonisht në formën e një karte të përdorshme vetëm në Shqipëri, pas largimit nga Britania e Madhe.
Sipas raporteve të fundit, mbi 1 mijë emigrantë shqiptarë kanë përfituar tashmë nga ky program, në kuadër të bashkëpunimit midis qeverive. Qëllimi i skemës është të ofrojë mbështetje për “t’u riintegruar” në vendin e origjinës, jo të penalizojë dhe nuk lidhet me proceset e vizave apo aktivitete kriminale.
Sipas analizave të regjistrave zyrtarë, zgjerimi i madh i programit, që do të zgjasë nga prilli 2026 deri në mars 2028, mund t’i kushtojë tatimpaguesve deri në 20 milion paund. Siç shkruan The Telegraph, pesë vendet e identifikuara për programin e zgjeruar të riintegrimit janë: Algjeria, Republika Demokratike e Kongos, Maroku, Somalia dhe Sri Lanka.
Të tjera vende ku të huajt që nuk marrin azil dhe të dënuarit e huaj tashmë kanë të drejtë për këtë mbështetje përfshijnë: Shqipërinë, Etiopinë, Bangladeshin, Ghanan, Indinë, Irakun, Xhamajkën, Nigerinë, Pakistanin, Vietnamin dhe Zimbabwen.
Përfituesit gjithashtu marrin transportin për qytetin ose fshatin ku duan të kthehen, mbështetje për akses në tregun e punës, shërbime për gjetjen dhe ribashkimin me familjen, si dhe këshillim për shëndetin mendor dhe mirëqenien nëse është e nevojshme.
Që nga viti 2021, më shumë se 400 mijë persona kanë kërkuar azil, krahasuar me 150 mijë kërkesa midis 2011-ës dhe 2015-ës. Por vetëm 100 mijë persona që nuk kanë marrë azil në Angli janë deportuar që nga viti 2021, që do të thotë se vetëm një në katër deportohet.
Aktualisht ka mbi 50 mijë të huaj që apelojnë refuzimin e kërkesave të tyre nga Ministria e Brendshme, krahasuar me vetëm 7 mijë në fillim të vitit 2023.





