Me 30 vota pro, 12 kundër dhe 1 abstenim, Këshilli Bashkiak i Shkodrës i ka dhënë dritën jeshile miratimit të buxhetit të Bashkisë Shkodër për vitin 2026, në vlerën 3.4 miliardë lekë. Seanca, e cila zgjati rreth katër orë, u shoqërua me prezantime dhe diskutime të gjata mes këshilltarëve.
Në fjalën e tij përpara Këshillit, Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, u shpreh se ky buxhet garanton vazhdimësinë e investimeve dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e Shkodrës. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me donatorët e huaj, si dhe njoftoi nisjen e një investimi prej 1.6 milionë eurosh për ndërtimin e banesave sociale për familjet e pastreha, të financuara nga buxheti i Bashkisë Shkodër.
Megjithatë, buxheti nuk kaloi pa kundërshti dhe akuza nga përfaqësuesit e krahut të djathtë në Këshill.
Këto akuza u kundërshtuan dhe u mbrojtën nga këshilltarët e Partisë Socialiste dhe Partisë Socialdemokrate.
Para votimit të projektbuxhetit, kryebashkiaku Beci u bëri thirrje të gjithë këshilltarëve që ta përqafojnë këtë dokument të rëndësishëm për të ardhmen e qytetit, duke përcjellë një mesazh bashkëpunimi dhe duke refuzuar konfliktin apo spektaklin politik në dëm të Shkodrës.
Në shifra, buxheti i Bashkisë Shkodër për vitin 2026 është rreth 15 për qind më i lartë krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, investimet e planifikuara për vitin e ardhshëm parashikojnë rreth 80 për qind më shumë projekte krahasuar me vitin 2025.
Sipas dokumentit të miratuar, fokusi kryesor për vitin 2026 mbetet infrastruktura, investimet qeveritare, bashkëpunimi me donatorët e huaj, si dhe mbështetja për shtresat sociale. Sa i përket sportit, është parashikuar ndërhyrja për rikonstruksionin e plotë të Pallatit të Sportit “Qazim Dervishi”, një investim i konsideruar si domosdoshmëri dhe një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit sportiv në Shkodër.






