Screenshot

Shkodra mirëpriti në skenën e teatrit “Migjeni” shfaqjen, “24 orë nga jeta e një votuesi”, një satirë politike në formën e kabaresë që sjell realitetin shqiptar përmes humorit, muzikës dhe ironisë therëse. Një produksion që, brenda një dite të vetme narrative, përmbledh dekada të tëra zhgënjimesh, paradoksesh dhe absurditetesh sociale. Nën regjinë e Driada Dervishi, shfaqja frymëzohet nga krijimtaria e Naun Shundi dhe Teodor Keko. Regjisorja ka zgjedhur kabarenë, një gjini me traditë të gjatë ndërkombëtare, por pak të eksploruar në Shqipëri, si mjet për të trajtuar politikën dhe shoqërinë në frymën e teatrit brehtian, ku publiku ftohet të reflektojë, jo thjesht të argëtohet.

Një element kyç i shfaqjes është poema satirike e Teodor Kekos, e shkruar në vitin 1996, e cila shndërrohet në refrenin qendror të kabaresë. Sipas Dervishit, kjo poezi dëshmon se, pavarësisht kalimit të viteve, ndryshimet në vend mbeten më të pakta nga sa perceptohen.

Në rolin protagonist vjen Arben Derhemi, i cili interpreton një burrë në moshë të mesme që prej 35 vitesh heziton të votojë, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi përgjegjësinë qytetare dhe raportin e individit me demokracinë. Përkrah tij, Zamira Kita mishëron personazhin e “Revolucionarës”, një figurë e krijuar posaçërisht për këtë shfaqje, në rolin e nënës së protagonistit, një karakter simbolik që përfaqëson idealizmin dhe zhgënjimin e brezave.

“24 orë nga jeta e një votuesi” vjen si një pasqyrë e mprehtë e realitetit politik dhe shoqëror shqiptar, duke përdorur satirën si armë artistike për të provokuar debat dhe reflektim mbi rolin e qytetarit në demokraci.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu