Në një deklaratë për mediat, SPAK ka dhënë detaje të tjera mbi operacionin me 21 urdhërarreste ndaj një grupi kriminal që merrej me trafik droge ndërkombëtar. Mes 21 personave të arrestuar për trafikun e lëndëve narkotike nga Siria drejt Shqipërisë dhe vendeve të BE-së, është edhe një efektiv i policisë në Shkodër. Bëhet fjalë për Marash Gj. polic i kufirit në Shkodër i cili dyshohet se është korruptuar nga anëtarët e grupit kriminal gjatë transportit të një sasie të lëndëve narkotike.
Prokurori Vladimir Mara deklaroi se hetimi është bërë në bashkëpunim me palën italiane, ndërsa shtoi se grupi kriminal trafikonte lëndë narkotike.
Mes të tjerash Mara tha se nga 21 masa sigurimi personal, 20 u ekzekutuan, duke shtuar se një person është në kërkim ndërkombëtar.
Po ashtu u bë e ditur se SPAK ka kryer dhe hetim pasuror për anëtarët e grupit kriminal, ku transportimi i drogës bëhej me kamion. “Janë vendosur 21 masa sigurie. Janë sekuestruar mjete luksoze, pajisje kompjuterike etj. Më e rëndësishmja është që të gjithë sekuestrimet e lëndëve narkotike janë kthyer në territorin e Shqipërisë. Kemi bërë edhe hetim pasuror për të gjithë anëtarët e grupit kriminal. Ka edhe persona që i është komunikuar edhe një masë e dytë sigurie sepse kanë qenë të prangosur. Hashashi ishte me origjinë nga Siria, heroina nga Turqia; ndërsa kokaina nga vendet e origjinës, me destinacion vendet e BE. Nuk kemi konstatuar episode kultivimi kanabisi në vendin tonë.”, tha ai.