Sot shënohet plot 13 vjet, nga protesta e 21 janarit ku mbetën të vrarë 4 protestues në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj mbetën të vrarë gjatë protestës së PS, e cila në atë kohë ishte në opozitë.
Duke marrë shkas nga kjo datë e trishtë në kalendarin e historisë së Shqipërisë, kryeministri Edi Rama ka reaguar, ndërsa nënvizon faktin se duhet drejtësi për 21 Janarin.
“MIRËMËNGJES
Drejtësi për 21 Janarin”, shkruan Rama.
Edhe pse kanë kaluar 13 vite nga ajo ditë familjarët thonë se ende nuk po shohin drejtësi për të afërmit e tyre. Së fundmi ka dalë me një vendim edhe Gjykata e Strasburgut, e cila vrasjet e 21 janarit i cilëson si “krim shtetëror”, duke kërkuar rihetim të çështjes.
Edhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja pak ditë më parë i bëri thirrje SPAK që të hetojë dhe të zbardhë të vërtetën në të gjitha dimensionet për ngjarjen e rëndë të 21 janarit.
“Unë kam një qëndrim konstant timin për 21 Janarin që në vitin 2011 dhe deri më sot. Unë kam kërkuar drejtësi për 21 Janarin. Drejtësia të bëjë drejtësi për 21 Janarin. Këtë kemi pritur, kërkuar dhe presim nga drejtësia: Të zvardhet e vërteta për 21 Janarin në të gjithë dimensionin e saj si ngjarje. Tashmë ka edhe një këndvështrim tjetër për 21 Janarin. Ndihemi pak të lehtësuar dhe të qetësuar, është vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Është një lehtësim për ne ky vendim, tashmë i takon drejtësisë të bëjë drejtësi”, tha Manja.
Më 21 janar 2011, opozita e atëhershme, sot në qeveri protestoi para Kryeministrisë, pas një video të publikuar mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit, të cilët flisnin për një rryshfet prej 700 mijë euro. Protesta degradoi në dhunë dhe përplasje ndërsa nga brenda Kryeministrisë u hap zjarr duke sjellë edhe bilancin tragjik me katër viktima.