20 vite më parë, në një bisedë të zakonshme brenda familjes Jaku, në fshatin Juban të Shkodrës, mori jetë një ide që do të sfidonte kohën, krijimi i ekipit të parë të futbollit për vajza në Shqipëri. Aty, ku askush nuk e imagjinonte, nisi një revolucion i heshtur sportiv.

“Mori përmasa kombëtare dhe në vitin 2009 Federata Shqiptare e Futbollit fillon organizimin e saj dhe sot jemi në këto nivele, të një krenarie kombëtare. Mendoj se sot futbolli i femrave ka një rritje të nivelit dhe përfaqësim dinjitoz”, thotë Ferdinand Jaku, President i ekipit Juban Danja.

Sot, dy dekada më pas, themeluesi dhe presidenti i klubit Juban Danja, Ferdinand Jaku, kthehet pas në kohë me krenari. Jo vetëm për faktin se ishin të parët, por sepse nga ai hap i guximshëm lindi një kulturë e re sportive për vajzat shqiptare.

“Fatmirësisht në Shkodër mund të ndodhë që nga kjo farë e vogël sot ka përmasa të mëdha”, thotë Jaku.

Nisma e tij shënoi një pikë kthese. Nga rrënjët e Juban Danjës, do të merrte jetë edhe ekipi i vajzave i Vllaznisë dhe më vonë, do të krijohej edhe përfaqësuesja kombëtare, duke i dhënë futbollit të vajza një identitet dhe zë të fortë.

Në atë fillim modest, protagonistet ishin vajzat e tij, Loreta dhe Paula Jaku. Sot, të dyja në rolin e trajnerëve, kujtojnë me emocione sfidat, paragjykimet dhe ëndrrën që, përtej vështirësive, mori formë dhe u bë realitet.

“Thyem një tabu për futbollin në Shqipëri. Atëherë ishte vështirë, por sot është shumë më e lehtë”,- tha Loreta.

“Fillimisht nisi si një lojë, sport thjeshtë, por më pas është kthyer në një pasion të madh. Gjithmonë kemi folur që atëherë për futbollin”,- u shpreh Paula.

Klubi Juban Danja, ashtu si Vllaznia e djemve në vitin 1919, është tashmë pjesë e historisë. Dy gurë themeli në qytetin ku futbolli shqiptar ka lindur dhe vazhdon të lulëzojë, një fidanishte e përhershme talentesh dhe shprese.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu