Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit të publikuar në vitin 2023 konstatoi se në godinën pas meje, në onkologjik. të sëmurët me kancer nuk kishin trajtimin e duhur. Mungesë shtretërish, lagështirë apo deri edhe në mungesë aparaturash. Sot dy vite më pas, pak gjë është rregulluar, dhe pacientët përballen me të njëjtat sfida.
KLSH, me gjetje të përfunduara në janar 2025, konstaton se spitali vijon të mos plotësojë kushtet bazë për trajtimin dinjitoz të pacientëve me kancer, ndonëse numri i rasteve të reja është në rritje. Pavarësisht rekomandimeve të dhëna dy vite më parë, onkologjiku vazhdon të mos mundësojë dot shtrimin e pacienteve në nevojë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit i kërkon onkologjikut të marrë masa për shtimin e numrit të shtretërve dhe poltronave, të krijojë ambiente më të përshtatshme për trajtim cilësor të pacienteve me tumor.
Në spitalin onkologjik, KLSH thotë se vazhdojnë ende mungesa të stafit me burime njerëzore dhe për rrjedhojë shtohen ditët e gjata të pritjes për pacientët.
Në raport theksohet se, edhe pse janë bërë rekomandime që në vitin 2023, ambientet e Onkologjikut vijojnë të jenë në gjendje të rëndë dhe s’plotësojnë kushtet. Sistemi i kondicionimit nuk funksionon në të gjithë godinën, dhomat e pacientëve kanë probleme me lagështirën, ndërsa kati nëntokë i spitalit, që duhet të ishte pjesë funksionale, përdoret si vend grumbullimi për pajisje të amortizuara.
KLSH kërkon pastrimin, dezinfektimin dhe rehabilitimin e këtij kati, si dhe sigurimin e ajrosjes dhe kushteve minimale për të gjithë strukturën spitalore.
Një tjetër problem shqetësues është mungesa e njësisë së kujdesit paliativ, e domosdoshme për trajtimin e pacientëve me kancer në fazë terminale. Për rekomandimin e para 2 viteve ministria tashmë ka vetëm një grup pune, dhe deri më sot, kjo njësi as nuk është ngritur.
Sëmundjet tumorale janë shkaku i tretë kryesor i vdekjeve në vend, duke përbërë 15.3% të totalit. Por, sipas raportit, ka një mospërputhje të theksuar në të dhënat e regjistrit kombëtar të kancerit. Madje KLSH thotë se institucione të ndryshme raportojnë shpesh shifra të kundërta, duke mos pasur të dhëna reale për prevalencën e sëmundjes dhe mortalitetin.
Për këtë arsye, KLSH i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë, QSU, Institutit të Shëndetit Publik dhe spitaleve rajonale të bashkëpunojnë për të përditësuar dhe unifikuar të dhënat mbi rastet e reja dhe ecurinë e sëmundjes, për të ndërtuar një regjistër të saktë dhe funksional.